Serbia do të fokusohet në të ardhmen tek ekonomia. Për të përmirësuar paraqitjen e qeverisë është vendosur të ftohen edhe ekspertë të huaj, të cilët do të marrin shtetësinë serbe dhe do të jenë pjesë e ekzekutivit.

Një ndër ta është Dominique Strauss Kahn, ish-shef i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që u bë i famshëm pas akuzave për përdhunim të një pastrueseje në një hotel të Nju Jorkut.

Ndonëse Khan kishte shpallur fundin e karrierës politike, pasi nuk mund të kandidonte për postin e presidentit francez, jozyrtarisht thuhet se ai do të jetë ekspert financash në qeverinë serbe.

“Tek ne do të kritikohet paraprakisht, por kjo duhet të ndryshojë. Ne duhet të zgjidhim probleme madhore, para së gjithash ekonomike”, ka thënë zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiç, i cili është lider i partisë më të madhe në vend.

Progresistët e Vuçiç do të marrin ekonominë dhe disa ministri të tjera pasi nga qeveria doli Partia e Rajoneve të Bashkuara, ndërkaq secili partner në koalicion do të detyrohet të pushojë disa prej ministrave të tij për të siguruar një punë më të mirë në qeverisje.

Top Channel