Papunësia në Greqi arriti rekordin e ri në muajin maj, duke prekur kuotën 27.6 për qind, sipas Institucionit Helen të Statistikave.

Shifra në fjalë krahasohet me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishte 23.8 për qind. Grupmosha më e prekur nga papunësia mbetet ajo mes 15-24 vjeç, që arrin në 64.9 për qind.

Lajmi është publikuar teksa kryeministri Andonis Samaras përgatitet të takojë presidentin amerikan Barack Obama në Uashington.

Mes çështjeve që do të diskutohen janë pikërisht përpjekjet e Greqisë për të reformuar ekonominë e saj, me vendin që ndodhet në vitin e gjashtë të reçesionit dhe që ka regjistruar një rënie prej 25 për qind të prodhimit që prej vitit 2007.

Greqia, shteti më i prekur nga kriza ekonomike në eurozonë dhe i pari që ka marrë ndihmën financiare në maj të vitit 2010, mori këstin e radhës prej 6.8 miliardë dollarësh muajin e kaluar nga Bashkimi Evropian, FMN dhe Banka Qendrore Evropiane.

Por paratë janë dhënë me kushte të rrepta, që kërkojnë që qeveria të reduktojë nivelin e borxhit. Kjo do të thotë më shumë shkurtime të vendeve të punës, më shumë rritje taksash, si dhe ulje të rrogave e pensioneve.

Gjithësesi, përveç këtyre, masa të tjera anti-krizë po kërkohen nga Trojka. Në momentin që kësti i radhës u sigurua, FMN deklaroi se Greqia duhet të veprojë shpejt me reformat, me qëllim zhbllokimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Top Channel