“ARMO” ndërron zyrtarisht pronësinë

08/08/2013 19:35

Zërat e shumtë të javëve dhe ditëve të fundit në media lidhur me shitjen e kompanisë së përpunimit të naftës, “ARMO”, janë konfirmuar përfundimisht nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Tashmë “ARMO” ka një kompani të re si pronare dhe një administrator të ri. Në të dhënat e publikuara në QKR për kompaninë “ARMO” rezulton se veprimet e fundit janë kryer më datë 8 gusht, prej ku është larguar administratori Rezart Taçi dhe në vend të tij është caktuar Fation Veizaj.

Po ashtu janë larguar dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës Gramoz Taçi, Drita Aliçka, Selfo Kapllani dhe Mustafa Taçi, të cilët janë zëvendësuar nga Ibrahim Hastopalli, Laurence Stroch, Abe Halati dhe avokatja e njohur Erinda Ballanca.

Çfarë ka ndodhur?

Kompania “ARMO” që në momentin e privatizimit, pesë vjet më parë, është vënë në pronësi të kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, e cila zotëron 85 për qind të aksioneve të rafinerisë, ndërsa shteti shqiptar pjesën e mbetur.

“Anika Mercuria Refinery Associated Oil” zotërohej nga kompania “Anika Enterprises”, që zotërohej nga familja e biznesmenit Rezart Taçi. Por me ndryshimet e ditëve dhe orëve të fundit, e vetmja pjesë pronësie që nuk ka ndryshuar është ajo e shtetit shqiptar, që përmes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës vazhdon të mbajë 15 për qind të aksioneve.

Ndërsa 85% të aksioneve sërish i mbeten kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”. Por tek kjo kompani, referuar veprimeve të kryera në QKR, janë kryer ndryshime të pronësisë më datë 8 gusht.

Më konkretisht, 80% të aksioneve që ishin në pronësi të “Anika Enterprises” tashmë kanë kaluar në pronësi të kompanisë “Heaney Assets Corporation”, çka e bën këtë kompani pronare jo vetëm të “Anika Enterprises”, por edhe të “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” dhe për rrjedhojë edhe të rafinerisë “ARMO”.

Gjithashtu, po më datë 8 gusht, është larguar administratorja e kësaj kompanie Anika Taçi dhe në vend të saj është emëruar sërish Fation Veizaj.

Edhe në këtë kompani rezulton që të jetë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës avokatja Erinda Ballanca, e cila një vit më parë ka përfaqësuar Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit në padinë që kjo e fundit kishte bërë kundër Rezart Taçit. Banka azere kërkoi kthimin e shumës prej 75 milionë eurosh nga Rezart Taçi, shumë kjo e vendosur si garanci për blerjen e “ARMO”.

Përfshirja e avokates Erinda Ballanca, e cila ka mbrojtur interesat e azerëve, si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, si tek kompania “ARMO” ashtu dhe tek “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, është për momentin e vetmja indicje që përforcon zërat e përhapur në media se “ARMO” tashmë është në pronësi të një kompanie zzerbajxhanase.

Nëse është kështu, duhet parë nëse “ARMO” është shitur dhe cili është çmimi i shitjes së kompanisë, apo është falur si peng për moskthimin e parave azerëve nga biznesmeni Rezart Taçi.

A është “Heaney Assets Corporation” përfaqësuese e interesave të azerëve?

Edhe kjo nuk është ende e qartë, sepse kompania nuk rezulton në asnjë kërkim, nuk ka një profil të sajin në internet dhe nuk dihet se ku është e regjistruar.

Këto pikëpyetje mund t’i shuajë vetëm pronësia e vjetër dhe e re nëse bëjnë publike kalimin e aksioneve dhe shteti shqiptar përmes METE-së, që ka miratuar ndryshimin e pronësisë së një ndërmarrjeje që u konsiderua si privatizim strategjik në fundin e vitit 2008.

Top Channel