CEZ nis ndërprerjen e energjisë

09/08/2013 15:45

Pas paralajmërimit të bërë pak ditë më parë nga CEZ Shpërndarje, se të gjithë debitorët do të kishin afat deri në datë 7 gusht për të paguar detyrimet, kompania njoftoi se nisi ndërprerjen e energjisë elektrike për institucionet buxhetore dhe jobuxhetore, si dhe për zyrat administrative të ujësjellësve që nuk kanë paguar energjinë.

Sipas CEZ Shpërndarje, në total detyrimi i tyre, pa përfshirë kamat-vonesat, llogaritet në rreth 65 milionë dollarë. Më konkretisht, rezulton se 3.194.110.831 lekë janë borxhe nga institucionet buxhetore, ndërsa 3.543.436.820 lekë janë borxhe nga institucionet jobuxhetore, borxhe këto të akumuluara që prej vitit 2007.

Ndërkaq, CEZ Shpërndarje ka bërë publike dhe listën e debitorëve, ku vendi i parë zihet nga kompania “Albpetrol” me një total prej 652.042.642 lekësh, i pasuar më pas nga Ujësjellësi i Durrësit me 468.000.718 lekë dhe nga Ujësjellësi i Vlorës me 395.577.650 lekë borxhe të pashlyera.

Në listën e debitorëve të CEZ Shpërndarje bie në sy fakti se pothuajse të gjithë ujësjellësit e qyteteve të Shqipërisë janë debitorë. Në këtë listë ajo që tërheq vëmendjen është edhe fakti se dhe Koorportata Elektorenergjitike e Shqipërisë është debitore e CEZ Shpërndarje.

Më konkretisht, KESH Fier dhe KESH Tirana. Në listën e 140 debitorëve më të mëdhenj renditen dhe disa bashki të vendit, si dhe Shërbimi Informativ Ushtarak, i cili ka një borxh të papaguar që kap shifrën e 5.950.288 lekësh. Po ashtu, debitorë rezultojnë dhe disa spitale të vendit, mes të cilëve dhe Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Top Channel