Tjetër tragjedi në brigjet italiane

10/08/2013 00:00

Një tjetër tragjedi është regjistruar në brigjet jugore të Italisë, me emigrantët që vijnë nga vendet afrikane e arabe për t’iu shpëtuar luftrave.

Gjatë një zbarkimi në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Katania, gjashtë prej tyre kanë humbur jetën pasi nuk dinin not, bën të ditur agjencia e lajmeve “ANSA”.

Trupat e tyre janë vendosur në plazhin e vijës bregdetare të Plaias, ku janë mbledhur roja bregdetare, policia dhe karabinierët, për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.

Sipas burimit, viktimat janë të gjithë të rinj nën moshën 30 vjeç. Mes tyre është edhe një minoren, një djalë mes 13 dhe 15 vjeç.

Trupat e tyre janë vendosur në thasë plastikë dhe janë transferuar për në morgun e spitalit, ndërkohë që prokuroria e Katanias ka kërkuar mbikëqyrjen e kufomave.

Nga hetimet e para të policisë ka rezultuar se ata janë mbytur në tentativë për të arritur bregun, pasi varka me të cilën po udhëtonin u mbyt kur ndodhej rreth 15 metra larg.

Klandestinët, të cilët nuk dinin not, kanë përfunduar në një kanal të thellë disa metra dhe nuk kanë mundur të reagojnë. Ata ishin pjesë e një grupi prej 120 emigrantësh që ndodheshin në bordin e një anijeje peshkimi.

Mes tyre kishte edhe gra e fëmijë shumë të vegjël, të cilët u shpëtuan nga forcat e rendit dhe roja bregdetare, që i ka transferuar në një qendër kujdesi shëndetësor.

Ndërkohë, në birgjet e qytetit tjetër siçilian të Sirakuzës kanë zbarkuar rreth 40 emigrantë të tjerë, të gjithë shtetas sirianë, mes të cilëve gra dhe fëmijë.

Edhe në këtë rast emigrantët janë shpëtuar nga një motovedetë e rojës bregdetare italiane, e cila ka njoftuar mbërritjen e varkave të tjera. 

Top Channel