Fundjava në Prespën e Madhe

11/08/2013 16:30

Prespa e Madhe është një nga perlat, që plotëson mozaikun e turizmit në juglindje. Edhe pse shumë pak e njohur, është një nga vendet turistike më mahnitëse.

Sapo përfundon rrugën mes maleve, para syve të hapet një panoramë mahnitëse. Krejt horizonti ka ngjyrën e kaltër të liqenit të Prespës së Madhe dhe mes tij ishulli i Maligradit.

Prespa e Madhe shquhet për kontrastet e relievit, shtëpitë dhe gatimet karakteristike të zonës. Uji i pastër, i rrethuar nga natyra e gjelbër, mbeten joshja e kësaj zone të mbushur me qetësi.

Rrugës për në fshatin Zaroshkë arrin të kuptosh se banorët përballen me një jetë të vështirë. Por, fshati ka një plazh shumë të bukur me rërë dhe gurë të imët, në të cilin duhet të ecësh gjatë në ujë për të arritur thellësinë.

Këtu gjen shumë pushues, pavarësisht infrastrukturës jo të mirë, të cilët zgjedhin të pushojnë mes kësaj natyre të pasur dhe ushqimit karakteristrik të zonës.

Tava e koranit është gatimi special i kësaj zone. Kristo Ago, pronar në një prej restoranteve të Prespës, tregon se sekreti është te peshku, i cili rritet në ujrat e liqenit dhe është gjithmonë i freskët. Për të, zona ka vlera të veçanta, por ka nevojë për investime.

Natyra këtu ka menduar edhe për ata, që duan të pushojnë pak më thjeshtë. Buzë liqenit dhe njëherazi mes pemëve gjen grupime familjare, që kane zgjedhur të argëtohen në natyrën e kësaj zone.

Gjithçka në Prespë të pret me bujari dhe të fton të rikthehesh, ndërsa në largim të pushton ideja se këtu mund të gjesh gjithmonë diçka të re.

Top Channel