“Statusi? Varet nga reformat”

14/08/2013 00:00

Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit, por marrja e statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor do të varet nga performanca e vetë Shqipërisë.

Në të parën intervistë televizive për “Top-Channel”, ambasadori i ri gjerman, Helmut Hoffmann deklaroi gjithashtu se Gjermania është e shqetësuar nga kriza e borxhit dhe kërkoi nga qeveria e re të bëjë kujdes me borxhin dhe të ruajë parametrat fiskalë.

Zoti Hoffmann u shpreh se bizneset gjermane janë të interesuar të investojnë në vend, por për këtë kërkoi krijimin e kushteve të përshtatshme dhe një shtet ligjor.

Muhamed Veliu, Top-Channel
– Zoti ambasador, cili ishte impresioni juaj i parë kur u emëruat për të shërbyer si ambasador i Gjermanisë në Shqipëri?

Ambasadori Helmut Hoffmann – Fillimisht më lejoni t’iu them se për mua është një kënaqësi e veçantë të shërbejë si ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Më pëlqen pyetja juaj për impresionin tim të parë pasi ishte një kontast i madh mesa asaj që prisja të shikoja dhe çfarë pashë. Erdha këtu dy javë më parë të shikoja Tiranën dhe pritshmëritë e mia ishin të shikoja një vend që ka kaluar shumë vite nën regjimin diktatorial komunist, me një periudhë tranzicioni të vështirë përfshi edhe anarkinë në disa momente. Mendoja se do të përballesha me një qytet shumë gri, por mbeta shumë i surprizuar për mirë kur pashë se si Tirana duket sot. Është një qytet me plot gjallëri. Kisha lexuar se si ish-kryetari i Bashkisë, Rama e kishte ngjyrosur qytetin me plot ngjyra, por më lejoni ta theksoj: “Tirana më ka surprizuar me plot njerëz të rinj, shumë restorante”. Gjithashtu, unë e di fare mirë se kjo është Tirana, por jo e gjithë Shqipëria. Kam parë në kryeqytet edhe anën tjetër që është varfëria dhe ka shumë gjëra për të ndryshuar, por mendoj se progresi i Shqipërisë është fantastik gjatë 20 viteve të fundit.

Muhamed Veliu – Cilat do të jenë disa prej prioriteteve gjatë mandatit tuaj diplomatik në Tiranë?

Ambasadori Hoffmann – Kur ju shërbeni si ambasador, gjëja e parë që kërkoni të realizoni është të punuarit për marrëdhëniet bilaterale në përmirësimin e lidhjeve me qeverinë dhe njerëzit. Dua të nënvizoj se marrëdhëniet me Shqipërisë dhe Gjermanisë tashmë janë ekselente, por unë do të mundohem të jap kontributin tim në çuarjen përpara të kësaj marrëdhënie. Gjermania ka një interes të veçantë në të pasurin e një situate stabël në të gjithë Ballkanin. Shqipëria në këtë aspekt një rol të rëndësishëm në të gjithë këtë. Qëndrueshmëria, stabiliteti demokratik, transparenca, llogaridhënia, lufta kundra korrupsionit, krimit të organizuar të gjitha këto janë çështje që marrin një rëndësi të veçantë. Ne jemi shumë të interesuar se si këto çështje zhvillohen në Shqipëri. Gjithashtu ne besojmë se është me shumë rëndësi integrimi në strukturën europiane, përfshi ndihma jonë në një dimension të tillë. Ne jemi mbështetës të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian. Për këtë do të ketë diskutime të rëndësishme deri në fund të këtij viti. Mbetemi shumë të prirur t’iu mbështesim në këtë drejtim. Shikojmë progres në këtë drejtim, por mbeten gjëra të cilat duhen përmbushur. Krijimi dhe ndërtimi i një klime të favorshme për të zhvilluar biznes në Shqipëri është një tjetër aspekt me interes për ne. Komuniteti gjerman i biznesit ka interes të operojë në Ballkan, e në Shqipëri, por duhen kushtet e përshtatëshme prandaj shteti ligjor është i rëndësishëm.

Muhamed Veliu – Cili është vlerësimi i qeverisë gjermane për qeverinë e re shqiptare, e cila do të nisë punë në Shtator?

Ambasadori Hoffmann – Ne jemi të kënaqur të shikonim se si u zhvilluan zgjedhjet dhe për herë të parë të shikojmë një tranzicion të paqshëm pushteti tek qeveria e re. Qeveria e ardhshme ka përpara një pjatë të madhe përpara saj, thënë ndryshe shumë sfida. Unë mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme që qeveria e re të sjellë një frymë të re, ku të mos mungojë konsensusi. Nuk ka dyshim që qeveria ka rol të udhëheqë, por lipset minimizimi polarizimit në zhvillimet politike që lidhet edhe me proceset integruese.

Muhamed Veliu – Në fakt, keni pak kohë në Tiranë, por me lejoni t’iu bëj këtë pyetje. Në këndvështrimin tuaj, cilat do të jenë disa prej sfidave me të cilat do të përballet qeveria e kryeministrit Edi Rama?

Ambasadori Hoffmann
– Po më drejtoni një pyetje e cila është komplekse. Mendoj se duhet përmirësuar situata ekonomiko-sociale. Mjafton të ecësh në rrugët e Tiranës dhe të shikosh diferencat. Nga njëra anë, unë si një diplomat gjerman jam i lumtur të shikoj shumëllojshmëri markash të makinave gjermane, por në një njëjtën kohë kam vënë re se ka varfëri. Përfshirja e qeverisë së re në ndryshimin e kësaj situate është e rëndësishme. Një tjetër aspekt lidhet me stabilitetin fiskal dhe kjo nuk është e lehtë pasi të gjitha reformat duhet të zhvillohen nën kushte të rrepta të situatës buxhetore. Ne jemi të vetëdishëm se situata me buxhetin nuk është një çështje e lehtë. Mendoj se është e rëndësishme të treguarit e një kujdesi të veçantë për disiplinën financiare dhe buxhetore. Në këndvështrimin tim, nuk duhet lënë pas edhe bashkëpunimi rajonal  ndërtuar mbi politika konstruktive dhe këtu Shqipëria mund të luaj një rol të rëndësishëm. Një tjetër sfidë e madhe për qeverinë e re do të jetë Bashkimi Europian, thënë më thjeshtë plotësimi kritereve të vendosura sic njihen 12 prioritetet. Disa prej tyre kanë patur zhvillim tejet pozitiv, një prej tyre zgjedhjet, por mbetet të tjera të paplotësuara. Merr një rëndësi parësore që vëndi juaj t’i tregojë shteteve antare të BE-së, Brukselit se qeveria juaj është e vendosur të realizojë progress në këtë drejtim.

Muhamed Veliu – Sa afër apo larg ndodhet Shqipëria në marrjen e statusit të vendit kandidat në Dhjetor, kur të mblidhet këshilli ministrave i BE-s?

Ambasadori Hoffmann – Kjo është e vështirë të thuhet prej meje në këtë fazë. Ka vetëm dy javë që kam mbërritur në Tiranë. E gjitha mbetet në duar të shqiptarëve, qeverisë shqiptare, parlamentit dhe të gjitha insitutitucioneve. Janë një sërë çështjes ku progresi është i rëndësishëm, si përshembull shteti ligjor, një listë e gjatë dhe nuk dua të futem në detaje. Është e parakoshme për të folur tani. Të presim vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në dhjetor. Unë do të dëshiroja të inkurajoj të gjithë shqiptarët, qeverinë, opozitën dhe gjithë të tjerët të punojnë në këtë drejtim me shumë seriozitet. Ne e kemi mbështur dhe do të vijomë ta bëjmë këtë në këtë proces ku keni hyrë, por ne do të shikojmë performancën.

Muhamed Veliu – Cili është pozicioni Gjermanisë, deri këto momente në lidhje me statusin? Më konkretisht, në mbledhjen e Dhjetorit, vota e Gjermanisë do të jetë pro apo kundër marrjes së statusit të vëndit kandidat?

Ambasadori Hoffmann – Është një tentativë e mirë me këtë pyetje, por duhet të kuptoni se unë nuk dua të komentoj për këtë tani duke thënë po ose jo. E ritheksoj, janë disa kritere, ne kemi parë progres e shpresojmë që ky progres të vazhdojë me kriteret e tjera. Ne do ta shohim këtë si një foto e plotë në kohën e duhur, duke u konsultuar me miqtë tanë në BE dhe shpresoj të mbërrijmë në një përfundim të arsyeshëm. Do të ishte e parakohshme të spekulloja sot se cili do të jetë vendimi.

Top Channel