Gjiri i Durrësit, kaos urban

14/08/2013 00:00

Në dy dekadat e fundit bregdeti i Gjirit të Durrësit është masakruar nga
bumi i ndertimeve pa kriter. Sezoni i turizmit ka mbetur larg
pritshmërive të pushuesve dhe qytetarëve, peng i interesave të ngushta
klienteliste dhe forcës së munguar e shpesh të diktuar jo në mënyrë të
barabartë në zbatimin e ligjit.

Edhe pse Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka deklaruar ndërmarrjen e një operacioni të gjerë për prishjen e ndërtimeve abuzive në bregdet, në plazhet e Durrësit, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit po shtohen frikshëm objektet e betonta, që kanë depërtuar në rërë dhe në det.

E gjithe vija bregdetare e gjirit te Durresit deri ne Kavaje duket se noton e zhytur ne nje kaos urban, ku edhe ndertimet me leje, shpesh here jane dhene jashte kritereve apo ne shkelje me ligjin. Arkitektë e urbanistë lokalë, një pjesë e të cilëve kanë shkuar me pushime jashtë Durrësit e Kavajës, njëzëri mendojnë se pavarësisht kostove financiare dhe sociale plazhet mund të kthehen në identitet nëse do të ketë vullnet të mirë dhe ndërhyrje të paanshme.
 
“Duke patur parasysh që Bashkia e Durrësit i ka patur të gjitha mekanizmat, duke filluar me Drejtorinë e Urbanistikës, Inspektoriatin e Ndërtimit, Policinë Bashkiake për të parandaluar betonizimin pa leje, kete dëshirë unë e shoh me pikëpyetje”, thotë urbanisti Ardian Muka.
 
Plazhet e Durrësit, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit ofrojnë një pamje të trishtë për syrin e çdo vizitori, qe ne kete kulm sezoni turistik po gëlon nga lëvizja e mjeteve te rënda. Skelat kane pushtuar plazhet qe shtrihen deri ne det me mole, platforma dhe bankina, duke betonizuar një pjese të brezit të rërës për të sajuar rritje të sipërfaqes së shfrytëuar për plazhe private dhe lokale. Brezi i rërës po i ngjan një kantieri ndërtimi.

“Neve po e quajmë atë çfarë ka ndodhur në Durrës një masakër urbane në aspektin urbanistik në zonën e plazhit”, thotë Muka.
 
Më në veri të Durrësit, te Gjiri i Lalzit, por edhe në zonën më jugore të bregdetit të Kavajës situata është e ndryshme. Subjektet janë kujdesur të sigurojnë lejet paraprake për fshatra turistike, ndërkohe edhe infrastruktura rrugore e dëmtuar për vite me radhë ka ndihmuar në ruajtjen e tyre.
 
Bashkëpunimi i qeverisë me njësitë vendore bregdetare konsiderohet çelësi i suksesit të prishjes së ndërtimeve të paligjshme.

Durrësi është një qytet dhe zonë bregdetare me burime turistike mesdhetare te rendesishme, pasi mbart në nëntokë dhe mbi të thesare të vërteta ballkanike. Por edhe pse kryeqendër e turizmit në vend, Durrësi nuk ka pasur vëmendje të veçantë per zhvillimin e tij urban dhe ruajtjen e zones bregdetare.

Top Channel