Arrestohen dy shqiptarë në Angli

14/08/2013 16:50

Edhe policia britanike nuk mundi t’u besonte syve dhe fatit kur i ra jackpot-i në zbulimin e një sasie droge të gjetur dy shtetasve shqiptarë në makinën e tyre.

Në një histori për të qeshur dhe për të qarë, dy shqiptarë, njëri me dokumente të rreme greke dhe tjetri me shtetësi britanike ishin duke udhëtuar drejt Londrës në autostradën që lidh kryeqytetin me Birmingamin, kur makinës së tyre u mbaroi karburanti.

Pasi ndaluan në autostradë, ata kërkuan ndihmë me telefonat e posaçëm që gjenden nëpër autostrada për raste emergjencash, të cilët janë të lidhur me qendrat e kontrollit të trafikut të Ministrisë së Brendshme, për të kërkuar ndihmë deri në pikën më të afërt të karburantit.

Fillimisht në vendngjarje mbërritën dy policë britanikë të trafikut, të cilët kërkuan në bagazhin e makinës tip “Audi” të shqiptarëve kavon për t’i tërhequr, kur papritur gjetën në të disa kuti me pesticide në sasira të pazakonshme, të cilat u ngritën dyshime.

Pas një kontrolli më të imtësishëm ata gjetën në automjet rreth 1 kilogram heroinë me vlerë rreth çerek milion stërlina.

Shqiptari që kishte dokumenta të rreme greke e pranoi fajësinë në Gjykatën e Kurorës, ndërsa shqiptari tjetër me shtetësi britanike, që ishte pasagjer u shpall i pafajshëm nga gjykata, pasi nuk kishte asnjë provë që e lidhte atë me këtë vepër penale.

Top Channel