Ajo që konsiderohet si perla e Shqipërisë, Riviera, vitet e fundit është shndërruar në një kantier të vërtetë ndërtimi.

Vit pas viti, numri i ndërtimeve me leje apo jo shtohet, ku përveç zaptimit të çdo hapsire të lirë, ndërtimet që vijojnë edhe gjatë muajve të verës, dëmtojnë imazhin e zonave bregdetare.

Top Channel ka kryer një vëzhgim përgjatë bregdetit të Vlorës e deri në Qeparo, aty ku është dhe kufiri mes Vlorës e Sarandës.

Godina shumëkatëshe, ende të papërfunduara, gërryerje të malit, punëtorë të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, është tabloja që të shfaqet në Rivierën shqiptare.

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergj Goro, bashki e cila mbulon dhe pjesën më të vizituar të Rivierës, në një intervistë për Top Channel tregon së Bashkia që ai drejton i ka evidentuar prej vitesh ndërtimet pa leje.

“Kemi vite që i kemi të evidentuara ndërtimet pa leje, por e rëndësishme është që Himara, ndryshe nga çdo bashki tjetër ka planin e vet të zhvillimit dhe mbi bazën e planit të zhvillimit çdo ndërtim që është bërë pa leje jashtë kushteve të terrenit, jashtë kushteve të këtij studimi urbanistik, detyrimisht do t’i nënshtrohet prishjes. Me këtë rast, me këtë intervistë që po jap, u them të gjithë atyre që përpiqen të ndërtojnë pa leje, të mos guxojnë sepse çdo ndërtim do të shkojë në det, sic ka thënë edhe Kryeministri i ardhshëm”, tha Goro.

I pyetur lidhur me ato ndërtime, të cilat edhe pse me leje, janë në vende të papërshtatshme, Goro ka pohuar se ato duhet të prishen, por në të njëjtën kohë duhet të hartohet dhe një plan për rivitalizimin e këtyre hapsirave.

“Zgjatja e tranzicionit shqiptar dhe mospasja e një plani të vërtetë zhvillimi ka bërë që gjatë çdo periudhe secili të ketë ndërtuar sipas pikëpamjes së vet. Janë dhënë leje të papërshatshme, në vende jo të përshtatshme, me kate të larta, me një fasadë jo të përshtatshme. Unë mendoj që duke u zhvilluar plani, duke pasur mundësi të tjera dhe një vizion më të qartë, pjesë-pjesë këto do të zëvendësohen me ndërtime të përshtatshme, do të prishen dhe do të bëhen ndërtime të tjera. Nuk mund të prishim dhe mos pastrojnë dhe të mos zhvillojmë. Prishja duhet të ketë një efekt të tillë, që qytetari të shikojë menjëherë ndryshimin e asaj që ishte bërë shëmtuar, me të bukurën dhe funksionalen. Duhet të ndryshojë patjetër ligji për ndërtimet pa leje. Të bëhet një cikël i mbyllur, ku të mos guxojë njeri të mendojë të ndërtojë më pa leje”, tha Goro.

Disi më e ndryshe paraqitet situata në qytetin e Vlorës, ku ndërtimet tashmë janë zhvendosur në kodrat e qytetit. Prej disa javësh, Bashkia e këtij qyteti ka nisur një aksion për prishjen e disa prej tyre, i cili sipas sipas kryebashkiakut Shpëtim Gjika do të vazhdoje edhe në ditët në vijim. Por, sipas Gjikës, premtimet elektorale për legalizimin e ndërtesave kanë krijuar një kaos në këtë zonë.

“Kemi një handikap ligjor, sepse këto fushatat elektorale shumë herë ndikojnë për keq, sepse në prag të fushatës elektorale, u dha sinjali se mund të ndërtohet sepse gjithcka do të legalizohet dhe kjo na ka vënë në një vështirë shumë të madhe. Kudo ku ndërhyjmë, në ato ndërtime që bien ndesh me planin e zhvillimit, ndeshemi me procedura abuzive apo procedura të çuditshme të legalizimit të këtyre objekteve. Sigurisht, që patjetër që ideja, dëshira dhe vendosmëria e zotit Rama, Kryeministrit të zgjedhur, për të pastruar vijën bregdetare nga ndërtimet e ligjshme apo ndërtimet e paligjshme, të cilat bien ndesh me perspektivën dhe me idenë e zhvillimit të qytetit të Vlorës dhe të zonës së bregdetit, patjetër që duhet të shoqërohet me mekanizma ligjorë, të cilat do e përçojnë dhe do i hapin rrugë edhe ndërhyrjeve tona, po sigurisht pastaj edhe për të dhënë një ide më të qartë perspektivës së zhvillimit të qytetit”, tha Gjika.

Duke u ndalur tek ato ndërtime me leje, por që bien ndesh me një plan të ardhshëm për rivitalizimin e vijës bregdetare, Gjika shpjegon se këto leje janë dhënë konform ligjeve në fuqi, por shprehu gatishmërinë për t’i prishur ato nëse Qeveria e re harton një plan për vijën bregdetare.

“Për fat të mirë në qytetin e Vlorës, dhe kjo më bën të ndihem krenar, mund të jenë dy apo tre maksimumi ndërtime në vijën bregdetare, të cilat janë me leje nga Bashkia e Vlorës. Janë me leje dhe duke qenë që janë me leje janë konform ligjit aktual që është në fuqi. Perspektiva e zhvillimit të qytetit, patjetër që mund t’i hapë një dritare të re dhe një horizont të ri vijës bregdetare dhe kjo perspektivë, kjo ide dhe ky zhvillimi i ri, i bën këto objekte, të bien ndesh me realizimin e kësaj perspektive. Eshtë një fenomen i cili është parashikuar dhe është i mbështetur në ligj. Nëse ka një plan zhvillimi, një projekt për të rikualifikuar zonën e bregdetit apo në mënyrë të veçantë dhe vendin ku mund të jetë ky objekt me leje, patjetër që duhet të hyjë në procedura shpronësimi për të vazhduar pastaj me procedurat e tjera për të rikualifikuar këtë zonë. Unë, si kryetar i Bashkisë së Vlorës jam i prirur dhe i vendosur, së pari për të mos u kthyer mbrapsht për asnjë ndërtim la leje, qoftë ky edhe në procedurë legalizimi, e cila jam i bindur që është në abuzim të plotë me ligjin, sepse nuk mund të hyjë në procedurë legalizimi, atje ku bashkia ka perspektiva apo plane studimi, apo plane zhvillimi, dhe së dyti, nuk jam peng i askujt, e kam moralin shumë të pastër, për të ndërhyrë edhe atje ku është objekti me leje, nëse kjo do të mbështetet pastaj me zhvillim dhe me projekte të përmirësimit të situatës, qoftë kjo situatë infrastrukturore, qoftë situatë rrugore apo qoftë kjo situatë e përmirësimit dhe e rikthimit të bregdetit në identitet”, tha Gjika.
 
Në Vlora, Dhërmiu, Jali, Livadhi, Himara e Qeparo, të konsideruara si plazhet më magjepsëse të Shqipërisë dhe që çdo vit thithin me mijëra turist të huaj apo vendas, krahas detit e diellit, pushuesit janë të detyruar të dëgjojnë dhe zhurmën e makinave, betoniereve, vareve dhe punetoreve, të cilat në çdo orar të ditës vijojnë punën për ndërtimin e godinave të reja, qofshin këto me leje apo jo, pluhurin e ndertimeve qe ngrihen me shpejtesi marramendese dhe te shohin te pafuqishem se si shkaterrohet bregu i detit.

Pavaresisht se jane te ndergjegjshem per situaten e rende te krijuar nder vite, ne mos pergjegjes, pushtetet vendore ndjehen te pafuqishme per te nderhyre, ne nje kohe qe kete e ka marre persiper ta beje Qeveria e re. Vjeshta kur Edi Rama ka lajmeruar fillimin e aksionit vjen shpejt dhe po kaq shpejt iken edhe nje vit per te vertetuar premtimin e mbajtur ose jo te Kryeministrit te ri.

Top Channel