Prvosllav Daviniç, kur mori detyrën e ministrit të Mbrojtjes, e
priste një punë e madhe për të transformuar një ushtri që kishte luftuar
në tërë ish-Jugosllavinë, në një ushtri profesionale, e cila nuk do të
shihej si hordhi plaçkitësish.

Disa muaj pas marrjes së postit në vitin 2004, pati nxjerre ne pension shumicën e eprorëve ushtarake të Ushtrisë së Serbisë. Davinic, ishte i panjohur në Serbi, pasi prej 25 vitesh jetonte në New York, ku në Kombet e Bashkuara, ishte njeriu i tretë dhe zëvendës i Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Anan.
 
Ftesa për të qenë ministër në qeverinë serbe, e kishte intriguar. Qeveria e Serbisë, është duke tentuar sërish të sjellë ekspertë nga jashtë, qoftë me origjinë serbe, qoftë të huaj që do të jenë pjesë e qeverisë.

Ish-ministri, mendon se duhet një përkrahje e kësaj ideje.

“Kam pasur mundësi të rri në Kombet e Bashkuara apo në sektorin civil. Por, pas 25 vjetësh eksperiencë në sektorin e çarmatimit global, kam menduar se mund të kthehem. Natyrisht një person nuk mund të bëj asgjë pa njerëz dhe është me rëndësi që sistemi i qeverisjes ta mbështesë këtë koncept”, thotë Prvosllav Daviniç, ish-ministër i Mbrojtjes.

Fillimisht, ish shefi i FMN-së, Domenique Strauss Khan, pastaj këshilltar kryeministrash perëndimorë, e deri tek dikur armiku serb, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, janë përmendur për të qenë në Qeverinë serbe, e cila po pëson një proces transformimi. Njohësit thonë se qeveria ka nevojë për ndryshime.
 
“Serbisë dhe në këtë rast qeverisë i duhen ekspertët. Është pak e rëndësishme a janë të huaj apo vendas. Të dyja anët kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre. Vendorët janë sprovuar dhe na kanë shkatërruar ne dhe vetën. Të huajt mund të mos kenë interesa të brendshëm politikë”, thotë Jelka Jovanovic, Redaktore “Novi Magazin”.

Serbia mendon se do t’i japë fuqi vetës në gjysmën e dytë të maratonës ballkanike të integrimeve në BE dhe të thyejë pritjet se rajoni e ka mbyllur për një kohë perspektivën reale.

“Nuk besoj se është propagandë, por situata ekonomike dhe borxhet tona kanë tejkaluar çdo normalitet dhe nëse nuk ndërmerret diçka gjendja mund të jetë alarmante”, thotë Daviniç.
 
 “Nuk besoj se Kosova do të dalë shpejt nga orbita e interesimit. Këtë e tregon edhe zbatimi i marrëveshjes pasi është duke shkuar vështirë. Kosova do të jetë këtu. Por, Serbisë jo vetëm këto vjet por me dekada i duhet ekonomia dhe rimëkëmbje ekonomike”, thotë Jovanoviç.

Të huajt nëpër qeveritë e vendeve të rajonit nuk janë risi, ndonëse pjesa më e madhe janë treguar si ekspert të vjedhjes dhe fushatave të shtrenjta për shtete të varfra. Ndoshta Serbia do të jetë e para që ta kuptojë se për të ndryshuar nga jashtë, duhet të jesh i shëndoshë nga brenda.

Top Channel