“Mashtrim me rishitjen e ARMO-s”

16/08/2013 00:00

Ekspertët thonë se rishitja e 85 për qind të aksioneve të kompanisë ARMO
është një transaksion i dyshimtë financiar që thellon krizën e sektorit
të naftës.

“Po aplikohet e njëjta skemë e zbatuar që në momentin e privatizimit të ARMO-s para 5 viteve dhe tani për t’i dhënë asaj një retushim me një model tjetër. Unë ndërkohë mendoj që të gjitha problemet që ka kjo shoqëri, financiare, të detyrimeve të palëve të tjera, të detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit apo individëve të ndryshëm nuk zgjidhen me këtë transaksion”, tha Kastriot Bejtja, ekspert i industrisë së naftës.

Zoti Bejtja mendon se transaksioni përmbyll një periudhë të errët 5-vjeçare të administrimit të naftës në Shqipëri, ku prona publike është vjedhur nga një grusht njerëzisht përmes mashtrimeve, të toleruara dhe dirigjuara nga Ministria e Ekonomisë.

“Konkluzioni është mjaft i lehtë për t’u nxjerrë. Këtu kemi të bëjmë me skemë të mashtrimit publik me grabitje të pronës publike dhe me një rënie të reputacionit të shtetit shqiptar në të gjithë aktivitetin e industrisë së naftës”, tha Bejtja.

Një nga ekspertët më të njohur në fushën e naftës, zoti Bejtja thotë se dëmi i shkaktuar qytetarëve nga grabitja e naftës është i pallogaritshëm dhe shkaktarët gjenden në postet më të larta të Ministrisë së Ekonomisë.
 
“Meqënëse zyrtarët e kësaj Ministrie në qëndrimin apo me mosveprimin e tyre ndaj detyrimeve ligjore po i shkaktojnë një dëm të pallogaritur shtetit shqiptar dhe interesit publik, atëherë unë mendoj që këta zyrtarë duhet të përballen me ligjin për të treguar se sa dëm i kanë bërë këtij shteti”, tha Bejtja.

Kontrata e privatizimit të ARMO-s, parashikonte një sërë detyrimesh ligjore ndaj privatit së bashku me penalitetet përkatëse. Sipas marrëveshjes për pesë vjet pronari i ri duhet të investonte 200 milionë dollarë, të modernizonte teknologjinë dhe të prodhonte karburante me standarde europiane. Në fund të 5 viteve asnjëra nga kushtet nuk u përmbush. Përkundrazi kompania ka akumuluar detyrime financiare të papaguara në rendin e qindra milionë dollarëve ndaj shtetit, punonjësve, por edhe palëve të treta.

Ministria e Ekonomisë, e cila sipas ligjit duhet të mbikëqyrë privatizimin dhe të mbledhë gjobat për mosrealizimin e investimeve, që llogaritën në dhjetëra milionë dollarë, pranoi të jepte ‘ok’ për transaksionin, që ja transferon ARMO-n një kompanie ofshor të regjistruar në ishujt Virgin.

Koncensionet e naftës
Qeveria i jep një kompanie 8 vendburime

Ndonëse në ikje, qeveria ka vendosur, përmes një vendimi të dyshimtë, të privatizojë edhe vendburimet e fundit hidrokarbure në vend.

Në mbledhjen e radhës, Këshilli i Ministrave ka miratuar një kontratë koncensionare, të lidhur mes Albpetrol dhe një kompanie private me emrin “Fenix Petroleum”, që i transferon kësaj të fundit koncesionin e 8 vendburimeve të naftës në Shqipëri, përfshirë ata të Amonicës, Drashovicës dhe Pekishtit.

Sipas kontratës, kompanisë i jepet e drejta për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në të 8 vendburimet, që sipas ekspertëve janë gjithçka nga ajo që ka mbetur prej Albpetrolit, kompanisë që u tentua të shitej 850 milionë dollarë.

Për ekspertët, vendimi ngre dyshime nga pikëpamja ligjore, për shkak se Albpetrol ligjërisht është në proces privatizimi. Edhe pse procesi ka dështuar, ligji dhe formula e privatizimit të Albpetrol janë ende në fuqi, çka hedh hije të forta dyshimi mbi vendimin për dhënien e këtyre vendburimeve me koncesion.

Top Channel