Greqia do të privatizojë brenda disa muajsh të paktën 21 aeroporte periferike të vendit, të cilët sipas programit të reformave të kërkuara nga kreditorët e saj duhej tashmë të kishin kaluar në duart e investitorëve vendas apo të huaj.

Megjithatë, Athina zyrtare deklaron se procedura e privatizimit të tyre ndodhet në zhvillim e sipër. Shumica e këtyre aeroporteve do të jepen me kontrata shfrytëzimi për 30-35 vjet, me mundësi zgjatjeje të periudhës në rast interesi  dhe vlerësohet se kjo do të përmirësojë imazhin dhe funksionimin e tyre.

Mediat e huaja kanë publikuar orët e fundit fotografi nga këto aeroporte të cilat nuk ofrojnë shërbimet e duhura dhe janë të pamjaftueshme për të përballuar fluksin e pasagjerëve. Në rastet e privatizimeve të plota investitorët janë të detyruar të kryejnë investime që do të kalojnë shifrën prej 220 milionë euro në tre vitet e ardhshme.

Aeroportet periferike të Greqisë që do të privatizohen janë të ndarë në dy grupe. Në të parin përfshihen midis të tjerash ai i Selanikut, i Korfuzit, i Haniasë në Kretë, i Zakinthos, i Kefaloniasë dhe i Kavalës, të cilët ofrojnë shërbime për më shumë se 9.3 milionë pasagjerë në vit. Kurse në grupin e dytë përfshihen aeroportet e ishujve të Egjeut si Rodos, Kos, Samos, Mitilini, Mikono, Santorini dhe Skiatho në të cilat kalojnë çdo vit më shumë se 8.3 milionë vizitorë.

Burime qeveritare deklarojnë se privatizimet e tyre duhet të kenë mbaruar brenda gjashtëmujorit të parë të 2014-s.

Deri tani mbi 11 grupe investuesish vendas dhe të huaj kanë shfaqur interesin e tyre. Bien në sy sipërmarrje të mëdha me eksperiencë në teknologji dhe në operimin e aeroporteve nga Gjermania, Franca, Zvicra, Turqia, Izraeli dhe Argjentina.

Top Channel