Pothuajse një muaj para zgjedhjeve për kancelarin në Gjermani, shtypi vendas gjithnjë e më shumë po hedh dritëe mbi një prej çështjeve më kyçe, për të cilën elektorati gjerman kërkon përgjigje, nga politikanët pretendentë për udhëheqjen e vendit.

Pikërisht çështja e reduktimit të borxhit kolosal të Greqisë, të cilën si kancelarja Merkel, ashtu edhe aleatët apo kundërshtarët e saj, mundohen ta mbajnë larg fushatës elektorale, po shndërrohet në një problem, që mund të luajë një rol të rëndësishëm në rezultatin e këtyre zgjedhjeve aq të rëndësishme, jo vetëm për Gjermaninë, por për gjithë Eurozonën.

“Po, ne do të tregojmë solidaritet në Europë. Dhe unë mendoj se kjo është e drejtë, të gjithë e dinë se çfarë kuptimi ka për ne Europa”, është shprehur kancelarja gjermane, Angela Merkel.

As Merkel dhe as ministri gjerman i Financave, Shcauble, nuk pranojnë se Greqisë do t’i falet pas shtatorit një pjesë e borxhit. Por, në qarqet politike të vendit, sipas të përditshmes Bild, kjo konsiderohet tashmë një e vërtetë që nuk po u thuhet gjermanëve, pasi nuk do t’u pëlqente aspak.

Madje, e perdishmja gjermane ka publikuar edhe një artikull me titullin sfidues “A vëmë bast z. Shcauble, se pas zgjedhjeve vjen reduktimi i borxhit?”.

Përveç kësaj, gazeta thekson se për Greqinë është gati edhe një paketë e re ndihme ekonomike dhe se për këtë është në dijeni edhe Athina, së cilës thjesht i është kërkuar të heshtë deri në shtator.

Shumica e eskpertëve financiarë shohin se po afron momenti për një falje borxhi, e cila do t’u kushtojë miliarda parà taksapaguesve gjermanë, në mënyrë të pashmangshme, pasi përndryshe Greqia do të shembej nën peshën e tij dhe të normës së interesit të kredive.

Dy janë tashmë skenarët, që qarkullojnë në korridoret e BE, por edhe të FMN, të cilat publikon gazeta greke “Kathimerini”, e së dielës. I pari kërkon të shkurtojë më tej normat e kreditimit në Greqi, nga vendet e eurozonës, dhe paralelisht të shtyjë afatet e shlyerjes së kredive, nga 30 deri në 50 vjet. I dyti flet për një reduktim të pastër prej gati 50% të shumës së kredive, të marra nga Greqia në paketën e parë të ndihmës prej 53 miliardë euro.

Një zgjidhje të tillë mbështet edhe FMN, pasi konsideron se vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet qëndrueshmëria e borxhit grek, që do të bëjë investitorët e huaj të besojnë përsëri në ekonominë e vendit dhe të zhvendosin fondet e tyre në Greqi, për krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Top Channel