Epidemia shkatërruese e HEC-eve

19/08/2013 00:00

Pak ditë më parë 600 banorë të dy fshatrave në Librazhd dolën në
protestë për të kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali mbi një
përrua që siguron mbijetesën e tyre.

Sipas banoreve, vepra i shndërron fshatrat në zona të pabanueshme duke u ndërprerë burimin e vetëm të furnizimit me ujë të pijshëm dhe vaditje.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Ekspertët lëshojnë alarmin se epidemia e koncesionimit në seri e burimeve ujore për ndërtimin e hidrocentraleve në çdo cep të vendit ka çuar në një rezultat kaotik.

“Janë dhënë licensave në shumë vende ku nuk ka tregues të mjaftueshëm që prodhimi i energjisë është fitimprurës dhe ndërkohë nevojat e popullatës të komunitetit lokal janë shumë më të nevojshme për bujqësi dhe për ujë të pijshëm. Përveç kësaj kemi raste të zonave të mbrojtura, vendimet e fundit ishin të lidhura më Valbonën, e cila është park kombëtar dhe që në asnjë mënyrë nuk mund të tjetërsohet”, thotë eksperti i mjedisit, Zamir Dedej.

Ne vitin 2006 Qeveria e shnderroi ne sfide politike ndertimin e hidrocentraleve. Sipas planit të saj në 6 lumenj të vendit do të ndërtohen 443 hidrocentrale të vogla dhe të mesme. Ekspertët, të cilët kanë filluar të përllogarisin dëmet mjedisore, thonë se shifra është e frikshme.

“Shqipëria nuk do të humbë më atë rrjedhë lumore natyrore, do të kthehen në përrenj të cilët janë të komanduar ose mbi bazën e digave që do të ngrihen, ose mbi bazën e tubacioneve ku do të devijohet uji. Kjo, në një sistem afatgjatë, në një analizë afatgjatë do të sjellë impakte të patjetërsueshme në klimën, në prodhimtarinë bujqësore dhe në jetën e njerëzve. Nëqoftëse këta nuk do të kenë ujë, janë të detyruar të largohen nga vendi”, thotë Dedej.

Sipas ekspertëve, 60 për qind e hidrocentraleve të dhëna me koncesion, nuk i justifikojne dëmet që shkaktojnë në mjedis dhe bujqësi. Por edhe pse ekonomikisht të padobishme, ato sërish ndërtohen sepse privatet marrin fitimet dhe ia ngarkojne kostot shoqerise. Përballë kesaj dileme për burime shtesë energjie dhe dëmeve në mjedis, ekspertët propozojnë si zgjidhje ndërmarrjen e një studimi të gjerë kombëtar.

“Në lumejtë të caktojmë ato pjesë të lumit, të cilat në bazë së sasisë së ujit dhe mënyrës dhe morfologjisë së tyre kanë mundësi të prodhojnë energji me një eficensë ekonomike shumë më të madhe, e cila lejon atë që quhet përmirësimi i dëmtimeve në mjedis. Investitori mund të invesitojë në pyllëzime,në prita, ndërkohë që në shumë vende të tjera, kur ky dëmtim nuk justifikohet, atëherë unë jam i mendimit që Qeveria do të thotë: ‘ndal”, u shpreh Dedej.

Pak ditë më parë një institut jofitimprurës europian publikoi një studim në të cilin faktonte se Shqipëria rrezikon të pësojë dëme të mëdha në mjedis, por edhe ekonomi nga ndërtimi masiv dhe pa kriter i hidrocentraleve.  

Top Channel