Paralelisht me fillimin e debatit në Parlament mbi projektligjin e qeverisë për mediat, Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni ka bërë thirrje që ky ligj që pritet të miratohet pa pëlqimin e shumicës së gazetarëve, të fillojë të zbatohet pasi vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Këtë kërkesë të saj në formë të amendamentit, kjo shoqatë e ka parashtruar në Kuvend dhe pret që të mbështetet nga deputetët.

Naser Selmani, kryetar i shoqatës, shprehet: “Qëllimi jonë është që ta bëjmë të qartë se qëllimet e qeverisë janë tinzare, nuk kanë për qëllim që të garantojnë dhe të promovojnë lirinë e shprehjes dhe shtypit, por të kundërtën, të kufizojnë lirinë e medias, të kontrollojnë qarkullimin e informacionit.”

Kreu i Shoqatës së Gazetarëve sqaron se rregullimi i sferës së medias me ligj nuk është kërkesë e Bashkimit Evropian. Sipas tij, miratimi i projektligjit të qeverisë do të dëmtojë rëndë imazhin e Maqedonisë, si vend ku fjala e lirë gjithnjë e më shumë po ngulfatet nga pushteti.

“BE-ja kërkon vetëm zbatimin apo implementimin e direktivës evropiane për shërbimet audio-vizive dhe asgjë tjetër, kurse qeveria e zgjeron kornizën e ligjit duke shtuar edhe rregullim e mediave të shtypura dhe internetit që ne mendojmë se në këtë kontekst është kundër-produktive”, thekson Selmani.

Projektligji për media po kundërshtohet edhe nga opozita. Deputetët e opozitës maqedonase kanë dorëzuar dhjetëra amendamente për të ndryshuar përmbatjen e draftit, por shumica e tyre janë hedhur poshtë nga mazhoranca.

Top Channel