Dhjetëra qytetarë, pjesëtarë të etnive të ndryshme që jetojnë në Maqedoni, kanë marrë pjesë në një protestë të qetë që u mbajt në Shkup kundër dhunës në Egjipt dhe ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën atje ditët e fundit, ku u vranë mijëra protestues.

Qytetarët e tubuar në protestë u shprehën të indinjuar nga dhuna e ushtruar nga qeveria e grushtetit të korrikut në Egjipt dhe humbjet e mëdha të njerëzve të pafajshëm. Sipas organizatorëve, protesta u mbajt në mbrojtje të vullnetit politik të egjiptianëve, vlerave humane e demokratike dhe në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore.

Daim Laçi, i Këshillit Organizativ të Protestave, tha: “Dëshirojmë të bëjmë me dije opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar se ashtu siç kemi qenë gjithnjë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, vlerave humane, dinjitetit të njeriut si individ dhe shoqërisë, jemi këtu sot që përsëri të gjykojmë shkeljen e të drejtave themelore të njeriut në Egjipt, që është e garantuar me të gjitha të drejtat ndërkombëtare. Si njerëz që na dhimbset çdo shpirt që viktimizohet, solidarizohemi me të gjithë ata që në Egjipt dhanë jetën në emër të idealit, lirisë dhe humanizmit.”
 
Protestuesit në fund i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, por edhe qeverisë së Maqedonisë që t’i shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet për të mos lejuar që edhe më tej të dhunohen të drejtat legjitime të popullit egjiptian.

Top Channel