Ministri grek i financave, Yannis Stournaras deklaroi se Athina mund të kërkojë rishikimin e kushteve të huave që vendi i tij ka marrë deri më tani.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt”, Stournaras tha se kërkesat e vendit të tij mund të qendrojnë në uljen e normave të interesit dhe zgjatjen e afatit për shlyrjen e 240 miliard eurove.

Një ditë më parë ministri grek tha se vendi i tij mund të përballet me një gropë prej 10 miliard eurosh në buxhet.

Spekulimet mbi nevojat e Athinës për huamarrje vijnë në një moment të ndjeshëm kur huadhënësja kryesore, Gjermania përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshmë parlamentare në muajin shtator.

Në fillim të këtij muaji, ministri gjerman i financave, Wolfgang Schaeuble deklaroi për herë të parë se Greqisë do t’i nevojitej një tjetër hua madhore për të plotësuar nevojat e saj.

Borxhi grek mbetet një cështje e ndjeshme në Gjermani. Kancelarja Angela Merkel kërkon të rimandatohet në zgjedhjet e 22 shtatorit, por misioni i saj rrezikohet nga këndvështrimi i votuesve, shumica e të cilëve mendojnë se Gjermania duhet t’i japë fund kontributit për të shpëtuar vende të caktuara të Eurozonës.

Top Channel