Në ditët e fundit në detyrë Qeveria në ikje është përfshirë në një aksion masiv të shitjes dhe transferimit të pronës publike.

Burime konfidenciale thanë për Top Channel se ministri në ikje i Ekonomisë Florion Mima ka firmosur të enjten privatizimin e disa pronave njëherësh që nisin me konviktin e Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja. Një proces i shumëdebatuar që ka nisur kohë më parë kur një biznes privat në fushën e arsimit i kërkoi Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë marrjen e kësaj prone me qira.

Në atë kohë Qeveria e pranoi menjehërë kërkesën dhe nisi procedurat për për t’ia kaluar konviktin privatit, por presioni i madh nga opozita dhe vetë universiteti publik e detyroi atë ta pezullojë procesin. Kjo siç duket vetëm përkohësisht, pasi tashmë që është në ditët e fundit në detyrë, Qeveria e ka finalizuar atë që nisi një vit më parë.

Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale, ndërsa zyrtarisht Ministria e Ekonomisë nuk jep asnjë përgjigje. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se veç Konviktit të Gjuhëve të Huaja, Ministria ka firmosur privatizimin edhe të kabinave të plazhit në Divjakë nën argumenti se privati që i ka patur me qira ka plotësuar kushtin e investimit. Javët e fundit kanë shënuar një bum shitjesh dhe ankandesh të pronave publike, që ka përfshirë gati të gjitha ministritë dhe ministrat në ikje. Para pak ditësh ‘Albpetrol’, kompania që është po në varësi të Ministrisë së Ekonomisë shiti përmes një ankandi edhe naftën që nuk e ka në gjendje por pret ta marrë në të ardhmen.  

Top Channel