Një paketë “shpëtimi” për bashkitë

30/08/2013 00:00

ARTAN SHKEMBI – Qeveria e re e Kryeministrit Rama pritet të fillojë punë
shumë shpejt dhe gjithkush po shprehet i shqetësuar me të drejtë për
arkën bosh të shtetit që ajo do të gjejë

Sigurisht që ky shqetësim është i drejtë dhe gjithkush që e shpreh atë në një formë apo në një tjetër, ka të drejtën e vet legjitime për të qenë i shqetësuar për mungesën e transparencës me të cilën po vepron prej kohësh qeveria në ikje, për të fshehur borxhet dhe detyrimet e saj në rritje, jo vetëm për shkak të krizës financiare (kjo krizë nuk është pranuar asnjëherë prej kësaj qeverie, pra zyrtarisht ky shkak nuk ekziston!), por edhe për shkak të keqmenaxhimit të financave, të prokurimit të shumë objekteve pa pasur në dispozicion fondin përkatës (projektet elektorale) dhe rrjedhimisht krijimin e borxheve ndaj kompanive private, të rritjes së kredimarrjes (kredi që mbulonin deficitin në rritje, por edhe gënjeshtrat e qeverisë), të mungesës së realizimit të planit të të ardhurave, etj., etj. Pa dashur të bëj specialistin e financave, do doja të bëja një krahasim dhe paralelizëm midis qeverisë qendrore dhe asaj lokale, pikërisht në këtë fushë, në atë të borxhit publik të krijuar, të “arritjeve” të trumbetuara nga njëra palë dhe të vështirësive të shprehura nga tjetra.

Së pari, qeveria qendrore vazhdimisht është mburrur më arritjet e saj në fushën e financave publike, duke deklaruar sukses pas suksesi e rritje pas rritje. Në të kundërt, bashkitë janë shprehur në vazhdimësi për vështirësi financiare në rritje që ato po ndeshin, deri në ekstremin e mospagesave të pagave të punonjësve dhe mosfinancimit e shërbimeve jetike për qytetarët e në raste të tjera, të shpalljes së falimentimit dhe mbylljes së dyerve për disa bashki. Pra ka një ndryshim të madh midis një pale që trumbeton suksesin (të paktë kanë qenë ata që e kanë besuar këtë gjë) dhe që tani pritet të zbulohet që çdo gjë ka qenë e gënjeshtërt (do Zoti kjo gjë nuk është e vërtetë) dhe palës tjetër që ankohet e ankohet pa fund prej vitesh, por që askush nuk ia ka vënë veshin.

Së dyti, nëse qeveria qendrore do të rezultojë e falimentuar, kjo është totalisht për fajin e vet, sepse askush nuk e ka penguar në aktivitetin e vet, e vetë ka pasur gurin e arrën për të vendosur, madje edhe kur është këshilluar nga organizmat vendase e ndërkombëtare, vetë ka vendosur të dëgjojë ose jo atë çka i rekomandohej. Qeverisja vendore, bashkitë e vendit tonë, nuk janë aspak shkaktare të vështirësive financiare në rritje që ato kanë ndeshur. Sepse nuk kanë asnjë faj bashkitë që qeveria përgjysmon taksën e biznesit të vogël (dhe mirë ka bërë), por pa u kompensuar bashkive dëmin e shkaktuar. Nuk janë përgjegjëse bashkitë që qeveria kufizon me anën e një ligji antikushtetues të drejtën e vetëvendosjes së masës së tarifave të shërbimeve për bashkitë, duke e kufizuar atë në vlera që nuk mbulojnë as 10 për qind të kostove të shërbimit. Nuk ka asnjë arsye për të menduar që bashkitë janë fajtore që bizneset e vogla kthehen në biznese të mëdha, vetëm që të ardhurat e tyre të kalojnë nga arkat e bashkive në ato të qeverisë qendrore. Nuk ka askush që të mos e kuptojë, që nëse qeveria qendrore u ka kaluar shërbime bashkive, ajo asnjëherë nuk i ka mbështetur ato me financat e nevojshme që kërkon ofrimi i tyre, duke transferuar kështu në fakt, jo shërbimin, por koston e tij në kurriz të bashkive. Shifrat flasin vetë dhe tregojnë që granti për bashkitë është ulur vit pas viti e vit pas viti, edhe granti i ulur nuk është transferuar i plotë në llogaritë e bashkive, duke gjetur lloj-lloj arsyesh banale e sebepesh për ta kufizuar atë edhe më tej. As kufizimi i të ardhurave nga legalizimi i banesave nuk mund të jetë për shkak të bashkive që u përjashtuan totalisht nga një proces që u takon vetëm atyre dhe askujt tjetër, sepse vetë e drejta e administrimit të territorit është një e drejtë ekskluzive e bashkive. Edhe bllokimi i dhënies së lejeve të ndërtimit me anën e një ligji të ri urbanistik, ka qenë një mjet tjetër për uljen e të paktën 25 për qind të të ardhurave në buxhetet e bashkive. Nuk dua të numëroj ndërhyrjet pa fund të qeverisë në financat lokale sepse janë aq të shumta e me aq pasoja, sa që gjithkush që di të lexojë, mund të çuditet jo me këtë fakt, por me atë se si kanë mundur të mbijetojnë bashkitë në këtë situatë represioni të vazhdueshëm. Fakti i fundit që dua të përmend lidhet me të drejtën e kredimarrjes për bashkitë, e drejtë e cila është e sanksionuar me ligj nën “presionin” dhe asistencën e organizmave ndërkombëtarë, të cilët nuk mund të toleronin mungesën e kësaj të drejte për bashkitë, kur kjo e drejtë u ishte garantuar edhe individëve. Pas miratimit të ligjit “Për kredimarrjen e qeverisjes vendore”, bashkitë përgatitën dokumentacionin e nevojshëm, kryen studimet e nevojshme për kapacitetet kredimarrëse dhe realizuan negociatat e domosdoshme me bankat për arritjen e marrëveshjeve për kreditimin. Pikërisht në momentin e arritjes së marrëveshjeve të kreditimit, ministri i Financave nxjerr urdhrin e tij për kufizimin e kredimarrjes në masën 2.5 për qind të buxhetit! Nuk besoj se ka ndonjë financier në botë që mund ta kuptojë këtë urdhër. Por nuk besoj se ka qoftë edhe një qytetar të thjeshtë që ka katër klasë shkollë që të mund ta kuptojë këtë urdhër, sepse gjithkush e kupton që nëse ka 100 lekë, nuk ka asnjë interes të marrë një kredi prej 2,5 lekësh! Qesharake, por e vërtetë, gjithçka mund të ndodhte, vetëm të ishte në funksion të qëllimit të bllokimit financiar të bashkive që në shumicë dërrmuese drejtohen nga socialistë, kundërshtarë të qeverisë në ikje.

Kjo qeveri dobësoi bashkitë, pa kuptuar që nuk po dobësonte kryetarët (dhe kjo gjë u provua, sepse kryetarët fituan sërish në zgjedhjet e 2011), por po dobësonte qytetet dhe qytetarët, po dobësonte bizneset, të mëdha e të vogla, të shërbimeve e të ndërtimit, të turizmit dhe të prodhimit. Duke dobësuar financat e bashkive, kjo qeveri në ikje transmetoi krizën e saj financiare nëpërmjet bashkive tek biznesi dhe tek familjet, duke i shtuar zinxhirit të borxheve që kishte krijuar vetë, edhe zinxhirin e borxheve që u krijoi bashkive e që bashkitë u krijuan bizneseve.

Sot, bashkitë nuk mund të paguajnë dot as pagat e punonjësve të tyre dhe as të atyre që ofrojnë shërbime në funksion të tyre (pastrimi, gjelbërimi, kultura, sporti, etj.). Mijëra punonjës, kryefamiljarë, janë pa pagat e tyre minimale në mbarë vendin. Qindra kompani shërbimesh janë të mbytura në borxhe e kredi për të mbuluar shpenzimet e tyre. Qindra e mijëra biznese të vogla e të mëdha janë në pritje për t’u paguar nga bashkitë, që edhe ato të mund të paguajnë borxhlinjtë e tyre. Një zinxhir borxhesh pafund që ia ka marrë frymën gjithkujt.

Shprehja e famshme që politika është lokale, duhet kuptuar në kompleksitetin e saj. Kur kriza prek bashkitë, atëherë nuk ka ku të shkojë më tej, ky është fundi i një krize që ka shkuar në palcë. E nëse fundi është kur kriza dëmton rëndë bashkitë, edhe shërimi duhet të fillojë prej aty. Nëse rënia ka arritur në minimum me rëndimin e financave lokale, edhe ringritja duhet të fillojë pikërisht aty. Prandaj dhe një paketë shpëtimi për bashkitë është po aq, e ndoshta më e rëndësishme se sa një paketë shpëtimi për qeverisjen qendrore. Në rastin më të mirë, të dyja paketat e “shpëtimit” duhen shqyrtuar paralelisht.

Çdo bashki sot e ka të qartë situatën e vet financiare, borxhet dhe detyrimet që ka, por edhe sasinë e ndihmës minimale dhe të menjëhershme të nevojshme për kryerjen e aktivitetit të vet minimal. Çdo bashki do të nevojitej të ndihmohej në dy drejtime, prandaj dhe “paketa e shpëtimit” duhet të orientohet në dy drejtime kryesore:

Së pari, në dhënien e një granti mbështetës që do të bënte të mundur shlyerjen proporcionale të borxheve dhe detyrimeve të trashëguara ose të krijuara vit pas viti ndaj punëmarrësve dhe palëve të treta, kryesisht biznese të vogla e kompani shërbimesh, duke dhenë kështu mundësinë e shpejtë të frymëmarrjes së munguar.

Së dyti, heqja e kufizimit prej 2.5 përqindësh të buxhetit për kredimarrjen nëpërmjet anulimit të urdhrit të ministrit në ikje të Financave për këtë kufizim. Nuk ka nevojë që kufizimi të bëhet me urdhra e udhëzime, sepse kufizimi i masës së kredimarrjes bëhet nga vetë bankat, të cilat si për çdo kredi tjetër që japin, studiojnë më parë kapacitetet paguese të individit apo entit që kreditojnë. Kjo kredimarrje nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse nga njëra anë këstet e kredisë ndaj bankave janë plotësisht të pagueshme nga bashkitë dhe nga ana tjetër, kjo sasi borxhi nuk llogaritet si pjesë e borxhit publik tashmë të tejkaluar nga ana e qeverisë. Efektet pozitive të këtij veprimi do të ndihen menjëherë nga kompanitë e ndërtimit që kanë realizuar ose po realizojnë projektet e infrastrukturës së bashkive, si dhe në zinxhirin e borxheve që ato kanë sot.

Unë besoj se këto dy hapa do të mund të lehtësojnë krizën duke ndihmuar në çlirimin prej saj të një shtrese të gjerë qytetarësh, biznesesh të vogla, biznese shërbimesh dhe kompani të vogla e të mesme ndërtimi, të cilat do të kenë mundësi të fillojnë të lëvizin mekanizmin e ndalur të ekonomisë për shkak të krizës, por edhe për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie në ikje, që paaftësisë i shtoi së fundmi edhe përdorimin e buxhetit për interesa elektorale. Ky është mekanizmi i fundit që ka ndaluar në Shqipëri dhe ky duhet të jetë mekanizmi i parë që do të mund të rifillojë sërish lëvizjen e ekonomisë sonë. Jo kompanitë e mëdha, që në shumicë të rasteve transferojnë fitimet e realizuara nëpërmjet punës në Shqipëri, në vendet prej nga vijnë, por qytetarët, bizneset e vogla dhe të mesme vendase janë ato që duhen ndihmuar dhe që duhet të ndiejnë të parët lehtësimin nga kriza që po i mbyt. Pa bërë specialistin, por edhe nacionalistin, edhe përvoja ime dhe e kolegëve të mi na tregon që shprehja e famshme “politika është lokale” është sot më aktuale se kurrë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel