Që nga hyrja në Bashkimin Evropian, 1 korrikun e kaluar, Kroacia shpreson në një bum investimesh të lidhura me projektet evropiane të financuara nga fondet për kohezionin. Këtë e ka bërë të ditur ministri kroat për Zhvillimin dhe Fondet Evropiane, Branko Grçiç, njëkohësisht zëvendëskryeministër.

Duke prezantuar planin strategjik për investimet, i miratuar nga Komisioni Evropian të hënën e kaluar, Grçiç ka sqaruar se dokumenti përcakton prioritetet për thithjen e fondeve evropiane në dispozicion të Kroacisë, 450 milionë euro brenda fundit të vitit dhe shpenzimin e tyre brenda vitit 2016.

“Nga kjo shumë 120 milionë janë parashikuar për transportet, 150 për mbrojtjen e ambjentit, 110 për konkurrencën rajonale dhe 60 të tjerë për zhvillimin e burimeve njerëzore”, ka thënë numri dy i qeverisë, duke shtuar se këto investime mund të sjellin në 500 deri në 600 milionë euro investime të tjera publike dhe private.

Deri tani janë përgatitur 500 projekte lokale. Përparësi i është dhënë ndërtimit dhe modernizimit të infrastrukturave komunale. Duke nisur nga viti i ardhshëm, në vend të parë do të rezultojnë investimet në strukturën hekurudhore, sidomos në korridoret evropiane që kalojnë përmes Kroacisë.

Top Channel