Ndonëse javën e kaluar refuzoi propozimin e kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjedhje të parakohshme, lideri i LSDM-së, partisë më të madhe në opozitë, Zoran Zaev të premten ka deklaruar se qeveria aktuale mund të rrëzohet shumë lehtë.

Kreu i opozitës maqedonase shprehet i bindur se mund të fitojë ndaj Gruevskit kurdo që të organizohen zgjedhje të lira dhe korrekte.

“LSDM nuk frikësohet nga zgjedhjet, por nuk do të lejojmë që të organizohen edhe një herë votime kriminale. Ftoj Gruevskin të angazhohet drejtëpërdrejt në pastrimin e listës zgjedhore dhe në implementimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-së. Sapo të kryhet kjo, atëherë do të caktojmë menjëherë afatin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Qytetarët duhet kenë të qartë se, në zgjedhje të lira dhe demokratike është shumë lehtë të rrëzohet kjo qeveri”, ka deklaruar Zaev.

Lideri i opozitës maqedonase më tutje ka thënë se është pikërisht Gruevski i cili ka shmangur zgjedhjet e parakohshme në muajin mars, kur nuk pranoi t’i shpallte ato së bashku me zgjedhjet lokale.

Kryeministri maqedonas javën e kaluar propozoi të mbahen zgjedhje të parakohshme si zgjidhje për ngërçin politik që u shkaktua pas ngjarjeve të dhunshme në Kuvend vitin e kaluar.

Përveç opozitës maqedonase, kundër propozimit të Gruevskit doli edhe partneri i tij shqiptar në koalicion, partia e Ali Ahmetit, ndërkohë që Partia Demokratike Shqiptare propozimin e quajti joserioz.

Top Channel