Ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Paskal Milo, është i bindur se qeveria e re e Shqipërisë, e drejtuar nga zoti Edi Rama, do të ketë nëj qasje më pozitive me vendet e rajonit dhe do të jetë më e hapur për bashkëpunim, se sa qeveria në ikje.

“Qeveria e re shqiptare, që do të marrë mandatin javën që vjen, jam i sigurt se do të ketë një qasje akoma më të shëndetshme në marrëdhëniet me të gjitha vendet e rajonit. Do të jetë më pak e indoktrinuar, do të ketë një qasje më pozitive për të ndërtuar marrëdhënie më të shëndetshme mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, duke larguar edhe ndonjë hije të nacionalizmit të tepruar, që mund të ketë pasur qeverisja e mëparshme në raportet me rajonin dhe me vendet e tjera”, tha Paskal Milo.

Ish-kryediplomati shqiptar i bëri këto komente në Shkup, gjatë një debati lidhur me nevojën e pajtimit mes popujve, 100 vjet pas luftrave ballkanike. Panelistët pjesëmarrës në këtë debat ranë dakord se pajtimi është i mundshëm, nëse popujt e rajonit lirohen nga paragjykimet dhe politikanët nga veprimet populiste.

Në këtë kontekst u fol edhe për çështjen e emrit të Maqedonisë, si një problem që për 2 dekada po pengon normalizimin e raporteve greko-maqedonase. Ish-politikani kosovar, Azem Vllasi, tha se kjo çështje duhet të zgjidhet me kompromis dhe porositi palët që të përdorin modelin serbo-kosovar për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mendoj se nuk është e drejtë që një shtet të përzihet në punët e një shteti tjetër lidhur me emrin. Nëse dialogu politik ka mbetur instrumenti kryesor, madje i vetmi, për rregullimin e marrëdhënieve reciproke, atëherë ajo që shkon me këtë është fjala kompromis. Kompromis, i cili nuk dëmton esencialisht, por mundëson për të ecur përpara”, tha Vllasi.

Ky debat, që uli në një tryezë të përbashkët në Shkup intelektualë dhe ish-politikanë nga vendi dhe rajoni, i paraprin një debati publik në Maqedoni që po tenton të hapë partia e Ali Ahmetit, lidhur me nevojën për të zgjidhur çështjen e emrit, si një problem që po pengon përparimin e vendit dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian e në NATO.

Top Channel