Të hënën në Parlamentin e Maqedonisë ka nisur punën grupi punues për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga rapoti i komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të dhunshme në Kuvend që ndodhën vitin e kaluar.

Sipas anëtarëve të këtij grupi, implementimi i rekomandimeve luan rol të rëndësishëm në hartimin e raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë.

“Implementimi i rekomandimeve do të bëjë edhe definimin e raportit vjeshtor të Komisionit Evropian dhe përafërsisht kornizat kohore do të jenë të harmonizuara dhe do të jemi të fokusuar të zbatojmë rekomandimet deri në mbledhjen e radhës së Unionit Evropian”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Nexhat Jakupi.

Rekomandimet që dalin nga raporti i komisionit hetimor kanë të bëjnë kryesisht me ndryshimin e Ligjit për Parlamentin dhe Rregulloren e punës së këtij institucioni. Nga opozita maqedonase thanë se zbatimi i plotë i rekomandimeve do të rikthejë në Parlament debatin e mirëfilltë dhe demokracinë parlamentare që mungon prej një kohe të gjatë.

“Për shkak të respektimit të afateve kohore mendoj se duhet të fokusohemi në rekomandimet që kanë të bëjnë me korrigjimin e Rregullores së Kuvendit që u soll pa prezencën e opozitës, por edhe përcaktimin e një proçedure të re për sjelljen e Buxhetit që do të jetë transparente dhe do të mundësojë debat të mirëfilltë për shpenzimin e parave të qytetarëve, gjë që nuk ndodhi 24 dhjetorin e vitit te kaluar”, u shpreh Igor Ivanovski, deputet i LSDM-së.

Ky grup i punës po bojkothet nga Partia Demokratike Shqiptare, e cila vlerëson se ngjarjet e dhunshme të 24 dhjetorit mes partive maqedonase janë një farsë politike, ndërsa problemi real në Maqedoni është mosrespektimi i të drejtave të shqiptarëve.

Top Channel