Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” i bëri thirrje kryeministrit serb dhe qeverisë në Beograd që të mbështesin “Pride Parade” që do të zhvillohet në kryeqytetin serb më 28 shtator.

Sipas kësaj organizate, Ministria e Rendit duhet të marrë masat e duhura për të mbrojtur pjesëmarrësit në paradë, edhe për shkak të incidenteve serioze në të shkuarën.

“Amnesty International” i bëri thirrje kryeministrit Daçiç që të garantojë sigurinë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht orientimit të tyre seksual. “Amnesty International” shprehu shqetësimin e saj për faktin se qeveria serbe ende nuk ka dhënë leje për këtë paradë dhe se organizatorët e saj nuk kanë marrë asnjë garanci për sigurinë e tyre dhe as që parada nuk do të ndalohet siç ndodhi në 2012.

Anëtarët e “Amnesty International” i kërkuan qeverisë serbe që të dënojë publikisht kërcënimet ndaj paradës, organizatorëve dhe pjesëmarrësve të saj dhe të hetojë sulmet ndaj komunitetit LGBT para se ajo të zhvillohet.

Sipas “Amnesty International”, vitin e shkuar parada e anulua pasi autoritetet thanë se s’kishin burimet e nevojshme për të siguruar kushtet e duhura për zhvillimin e saj, por tashmë Beogradi nuk mund të justifikohet më duke shmangur respektimin e të drejtave të njeriut.

Top Channel