Nis stërvitja “Albanian Lion-13”

02/09/2013 00:00

Ka nisur në Pasha Liman stërvitja e koduar “Albanian Lion-13”, me demonstrime të përbashkëta nga ajri dhe deti mes forcave britanike dhe atyre holandeze.

Në këtë aktivitet marrin pjesë presidenti Bujar Nishani, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pasuesja e tij Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Xhemal Gjunkshi, atashehu ushtarak i Britanisë së Madhe, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, z. Nicholas Cannon, etj.

Pjesë e stërvitjes së përbashkët janë rreth 4.000 forca të stacionuara në bazën e Pasha Limanit, ku krahas flamurit tonë valvitet edhe ai i NATO-s.

Kjo stërvitje është më e madhja e organizuar ndonjëherë në brigjet e detit Jon dhe sheh të angazhuara edhe forcat tona detare, me qëllim perfeksionimin dhe shkëmbimin e eksperiencës ndërmjet ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s.

Në fjalën e tij presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u fokusua tek nevoja humanitare që shumë vende të rajonit e më gjerë në botë kanë për prezencën e forcave të NATO-s. Më tej presidenti Nishani theksoi se Siria është një sfidë e madhe që duhet ta përballojmë bashkarisht.

“Këto janë sfidat e radhës që duhet të përballojmë së bashku. Megjithëse jetojmë në një kohë të turbullt, ne kemi ide të qarta dhe vullnet të përbashkët. Jemi bashkë, përkrah njëri-tjetrit në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta”, deklaroi Nishani.

I pyetur nga gazetarët në fund të fjalës së tij për pritshmëritë për qeverinë e re, ai deklaroi se do të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe afatet për dekretimin e saj.

Të njëjtin qëndrim ndau me mediat edhe minsitrja e Ardhshme e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila veç të tjerash vlerësoi stërvitjen e organizuar në brigjet e Jonit, duke theksuar se do të jetë prioritet i qeverisë së ardhmshe bashkëpunimi i frytshëm me forcat e NATO-s. Forcat britanike dhe ato holandeze do të qëndrojnë në brigjet shqiptare deri në datën 10 shtator.

Top Channel