Zv.kryeministri i Maqedonisë, Ali Ahmeti zhvilloi një vizitë në Athinë ku dhe pati takime me krerë të politikës greke.

Gjatë takimit me homologun e tij grek dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm, Evangjelos Venizelos, Ahmeti theksoi rëndësinë e integrimit euroatlantik të Maqedonisë. Ai kërkoi dialog për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.

Sipas burimeve të Top Channel nga Ministria e Jashtme greke, lideri i shqiptarëve të Maqedonisë u shpreh pro zgjidhjes së kontestit, si e vetmja alternativë që i mbetet këtij shteti që të integrohet në Europë.

Sipas Ahmetit, dikush në Maqedoni dëshiron rrugën e bllokimit dhe jo atë të intergrimit, ndaj palët duhet të ulen dhe të dialogojnë për këtë çështje, si dhe për një sërë problemesh që shqetësojnë vendet e rajonit.

Burimet nga kjo ministri theksuan qëndrimin e Athinës zyrtare për zgjidhjen e çështjes së emrit, me qëllim heqjen e vetos greke për anëtarësimin e fqinjit të saj verior në NATO dhe BE.

Mësohet se zoti Venizellos ka shprehur vendosmërinë e Athinës për pozicionet e saj të bllokimit, pasi sipas kryediplomatit grek, Shkupi zyrtar ka zgjedhur rrugën që të mos dialogojë, por të qëndrojë në pozicionin e tij, çka nënkupton shkeljen e vijës së kuqe për Athinen.

I vendosur për vazhdimin e dialogut, por edhe në favor të bashkëpunimit dypalësh ishte edhe ministri grek i Mbrojtjes, Dhimitiris Avramopullos, i cili gjatë takimit që dy liderët patën më herët në këtë ministri u shpreh se dy vendet duhet të dialogojnë për prosperitet dhe një të ardhme më të mirë për rajonin.

Top Channel