Sheshet e kryeqytetit serb dhe kryeqyteteve të tjera të rajonit viteve të fundit shpesh kanë shërbyer për të shprehur pakënaqësinë apo mbështetjen ndaj ngjarjeve në botën arabe.

Diktatorët dhe liderët kishin miq të tyre personal në ish-Jugosllavi, siç ishte Muamer Gadafi.  Por, tani lufta e Sirisë, vendit që ndodhet para bombardimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajon has në perceptime të ndryshme.

Një pjesë e mediave serbe më shumë lajme i përkushtojnë kontestimit të përdorimit të lëndëve kimike. Ndërkaq pjesa më konservatore beson se bombardimet janë të paramenduara dhe nuk sjellin zgjidhje.

Stevan Gajic, nga Instituti për Studime Europiane, e krahason situatën me bombardimet e Jugosllavisë gjatë luftës së Kosovës.

“Sllobodan Milloshevic mund të ishte larguar nga pushteti që në vitin 1997. Në vitin ‘96 në Serbi kanë qenë zgjedhjet lokale dhe ka qenë e qartë që Milloshevic i kishte vjedhur zgjedhjet. Pasojnë protestat tre-mujore nga koalicioni “Së bashku” dhe e sjellin deri para largimit nga pushteti. Opozita e atëhershme pas vizitave në Uashington marrin sinjale që nuk mund të mbështesin transicionin e pushtetit, por vetëm zgjedhjet lokale. Komisioni i OSBE-së në terren bën ligj të veçanta me të cilin Milloshevic pranon vjedhjen e votave, por ngelet në pushtet. Perëndimi nuk do të mund ta mbështeste UÇK-në pasi nuk do të mund të sulmohej më një Serbi demokratike dhe më lehtë sulmohej, siç e quanin ‘Kasapi i Ballkanit’”, thotë Gajic.

Por, Alleksandar Radic, një nga analistët më të mirë politiko-ushtarak, beson se perceptimet janë të ndryshme në varësi të asaj se kush-kë ka pasur kundërshtar gjatë luftës në ish-Jugosllavi.

“Ekziston tek serbët një perceptim me krijimin e paraleles me vitin 1999. Dhe krijohet një simpati për Bashar Al Asad. Por, ky është nivel kafenesh. Ballkani Perëndimor është kryesisht i distancuar nga gjendja në Lindjen e Mesme”, thotë Radic.

Historia ballkanike ka treguar se ndonjëherë ekziston nevoja për sulme. Por në vendet arabe eksperienca ka treguar se lufta nuk përfundon në të njëjtën kohë për të gjithë.

“Situata në Siri është e tillë sa që Perëndimi nuk ka zgjidhje tjetër përveç sulmeve. Por, nuk ekziston forcë që Amerika mund ta mbështesë me fuqi ushtarake. Por, ajo do ta paguaj çmimin. Ndërhyrja nuk është në interes të Amerikës, por u duhet vendeve që janë kundër Asad, Arabisë Saudite, Izraelit, Turqisë dhe nuk ka interesa të drejtpërdrejta të Amerikës apo Anglisë. E natyrshme, Amerika nuk dëshiron që Asad të fitojë, por situata është e pazgjidhshme dhe ndërhyrja e limituar, pasi nëse do të ketë vetëm një fitues, mund të ndodh që fituesi shpejt të krijojë kërcënim sigurie ndaj atyre që kanë ndërhyrë”, shton Radic.

Vendet arabe dikur për shkak të pozitës neutrale të Jugosllavisë në Luftën e Ftohtë kanë patur lidhje të forta me Ballkanin.

Top Channel