Parada gay në Beograd do të mbahet vetëm nëse siguria e pjesëmarrësve dhe e qytetit do të garantohet plotësisht nga autoritetet.

Ky ishte qëndrimi i mbajtur prej kryeministrit serb, Ivica Daçiç, përballë kërkesës së komunitetit LBGT për të organizuar paradën e krenarisë së homoseksualëve në datën 28 shtator.

”Nuk kemi qenë kundër paradës gay, por kryesorja në çdo situatë është që të garantohet siguria publike dhe ajo e pjesëmarrësve”, deklaroi Daçiç.

Kryeministri premtoi se do t’i kërkojë policisë që të hartojë një plan masash, me qëllim që kjo mbrojtje të jetë sa më efikase dhe kështu të garantohet realizimi i kësaj parade.

Në një paradë të mëparshme, në datën 10 tetor 2010, grupet ekstemiste dhe homofobe sulmuan pjesëmarrësit në paradë dhe u konfrontuan me policinë, duke shkaktuar një kaos të vërtetë në kryeqytetin serb.

Disa qindra persona u arrestuan, ndërsa dhjetëra u shoqëruan në spitale pas lëndimeve të pësuara në këtë agresion.

Duke iu referuar këtij precedenti, Beogradi nuk ka lejuar mbajtjen e paradave të krenarisë së homoseksualëve në tre vitet e fundit, pavarësisht kërkesave të shoqatave LBGT.

Top Channel