Gjykata e Larte holandeze bëri përgjegjëse Holandën për vdekjen e tre muslimanëve boshnjakë të ekzekutuar në masakrën e 1995-s në Srebrenicë.

Tre viktimat ishin urdhëruar të largoheshin nga kompleksi i OKB-së nën mbikëqyrjen e forcave paqeruajtëse holandeze, kur u mësy nga forcat serbe. Vendimi mbështet përfundimet e ngjashme të një procesi të Apelit në 2011-n.

Rreth 7.500 burra dhe djem muslimanë u masakruan në Srebrenicë në atë që konsiderohet si një prej mizorive më të mëdha në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Çështja e shqyrtuar në Gjykatën e Lartë të Holandës përqendrohet tek tre boshnjakë që punonin për forcën holandeze, Dutchbat, gjatë luftës së Bosnjes.

Ata ishin pjesë e mijëra personave të strehuar në kompleksin e Kombeve të Bashkuara kur nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç, trupat serbo-boshnjake mësynë Srebrenicën 11 korrikun e vitit 1995. Dy ditë më vonë, paqeruajtësit i detyruan boshnjakët të largoheshin prej andej.

Gjykata e Apelit në 2011 doli me vendimin se forcat holandeze nuk duhet t’ia kishin dorëzuar tre burrat ushtarëve serbë. Gjykatësi Floris Bakels u tha të afërmeve të viktimave se ai vendim do të mbetet në fuqi, ndërsa ata do të kompensohen për humbjen e tyre nga shteti holandez.

Korrespondentët thonë se një vendim i tillë mund të ketë pasoja për misionet e ardhshme paqeruajtëse të OKB-së, sepse shtetet anëtare do të ngurrojnë të marrin pjesë në operacione ushtarake jashtë kufijve, pikërisht nga frika se mund të konsiderohen përgjegjës për situatat që dalin nga kontrolli.

Top Channel