Nga Selaniku, pasi ka inaguruar Panairin e 78 Ndërkombëtar, kryeministri grek Andonis Samaras në fjalimin tradicional me këtë rast ka deklaruar se ka mbërritur çasti që Greqia nuk do të marrë më masa shtrënguese financiare.

Megjithëse ai ka pranuar se edhe këtë vit ekonomia e vendit do të vazhdojë të jetë në reçesion për të gjashtin vit rresht, tkurrja e saj, që në 2012 shkoi ne 6.4%, sivjet, e ndihmuar nga zhvillimi i turizmit, do të jetë më e vogël se parashikimet.

“Këtë vit reçesioni do të jetë më i vogël se ai që ishte parashikuar. Shërbimi Kombëtar i Statistikave njoftoi dje se reçesioni në tremujorin e dytë ishte 3.8% dhe jo 4.6% siç ishte parashikuar”, ka deklaruar Samaras.

Ne së shpejti do t’u japim lamtumirën kredive të huaja, ka thënë ai, duke marrë shkas nga fakti që Greqia për herë të parë pas shumë vitesh krijon sivjet një sufiçit primar, duke e lejuar atë për të kërkuar lehtësim të mëtejshëm të borxhit nga partnerët e saj të eurozonës.

Siç dihet, Greqia është përjashtuar nga mundësia për të marrë hua në tregjet financiare që prej 2010-s dhe vendi është mbajtur brenda zonës së euros falë dy paketave të ndihmës financiare me vlerë prej 240 miliardë eurosh nga BE, BQE dhe FMN.

Por kryeministri grek nuk ka dhënë sqarime për mijëra pushime nga puna që priten në javet e ardhshme, për papunësinë rekord, uljen e prodhimit të PBB dhe të nivelit të jetetës së grekëve, si dhe për rritjen kolosale të borxhit, ndërsa ka akuzuar për populizëm radikalët e majtë dhe partinë neonaziste Agimi i Artë.

“Çfarë mendojnë ata se unë nuk e shoh papunësinë, se nuk e ndjej dhimbjen, se nuk e di që njerëzit po kalojnë vështirësi dhe po vuajnë? Po u përgjigjem që të kuptojnë njëherë e mirë: Pikërisht ajo që po përpiqem të luftoj quhet papunësi, quhet varfëri”, është përgjigjur Samaras.

Viti i ardhshëm, ka thënë Samaras, do të jetë viti i rimëkëmbjes, ndërsa në 2020 Greqia do të ketë arritur nivelin që kishte para krizës. Duke ju referuar gazesjellësit TAP, ai ka theksuar se do të krijojë mbi 10.000 vende pune për Greqinë.

Mbërritja e kryeministrit dhe një pjese të qeverisë në Selanik është pritur prej të premtes me demonstrata e tubime të sindikatave të ndryshme, të cilat përshkallëzohen në orët e ardhshme, ndaj dhe më shume se 4.500 policë dhe forca të tjera speciale kanë blinduar qytetin e dytë më të madh të vendit për të parandaluar protestat që në vitet e fundit, për shkak të krizës, kanë qenë shpesh herë të dhunshme.

Top Channel