Studentët e Fakultetit të Ekonomisë duhet të ishin ulur në auditorët e fakultetit për t’i dhënë fund provimeve të vjeshtës.

Por së bashku me pedagogët e tyre kanë zgjedhur oborrin e mbetur të fakultetit të tyre për t’u ulur këmbëkryq në shenjë proteste, një protestë e cila vijon prej ditësh në thelb të së cilës qëndron një ndërtim disa katësh i ndërtuar rishtazi muajt e fundit përballë godinës së këtij fakulteti.

“Ky është viti i ri akademik 2013 dhe simbolika e këtij viti është libri, dija, asfalti janë ulur këmbëkryq përpara gjithë studentëve për të dhënë leksionin e parë të hapur. Ne shpresojmë që numri i studentëve në orët e seminarit të hapur të shtohet dita-ditës dhe të japin një mesazh tepër të qartë që tempulli i dijes ka mbetur në asfalt”, thotë pedagogu Pleurat Rexhepi.

Zoti Rexhepi thotë se protesta e studentëve do të vijojë deri sa të dëgjohet zëri i tyre.

“Ne nuk jemi këtu për të bërë një protestë 1, 2, 3 ditore, por jemi këtu që ne nuk hyjmë në auditor. Kërkojmë me këmbëngulje që të ndërhyhet ndaj uzurpuesve të betonit që kanë rrethuar fakultetin nga të katërta anët”, tha zoti Rexhepi.

Askush nuk e di se si do të zgjidhet kjo çështje për aq kohë sa ping-pongu institucional për ta sapo ka nisur.

Top Channel