Qeveria e Shkupit ka filluar të aplikojë taska hyrëse për qytetarët e Kosovës, që udhëtojnë drejt Maqedonisë.

Sipas masës së vendosur, taksë prej 2 euro do të paguajë çdo shtetas i Kosovës, që hyn në Maqedoni, 5 euro paguhet për çdo makinë, ndërsa nga 10 euro për kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës.

Aplikimi i kësaj takse ka shkaktuar pritje të gjata në vendkalimin kufitar Bllacë, mes Kosovës dhe Maqedonisë. Kosovarët shprehen të revoltuar nga kjo masë, e cila cilësohet nga ata si haraç.

“Më kanë marrë 11,5 euro për veturën dhe për katër persona. Diku 2 euro për person, 4 euro për veturë. Kjo është plaçkitje”, tha një qytetar nga Kosova.

“2 euro për person, kjo vlen për të gjithë udhëtarët me pasaporta kosovare, për autobusin 10 euro. Ka kolonë shumë të gjatë”, shtoi një tjetër qytetar nga Kosova.

“Këtë nuk e kemi menduar asnjëherë se mund të ndodhte, nuk është në rregull dhe na ka ardhur papritur, teksa po shkonim për kontroll në spital, në Shkup”, reagoi një tjetër kosovar.

Zyrtarët e Shkupit nuk janë prononcuar të dielën për aplikimin e kësaj takse, që erdhi si pasojë e vendosjes së embargos nga ana e Prishtinës, për një pjesë të prodhimeve nga Maqedonia.

Drejt embargos kosovare çoi një vendim, që autoritetet maqedonase kishin marrë paraprakisht, për kufizimin e importit të grurit dhe miellit, që më së shumti dëmtonte tregtarët kosovarë dhe ata serb.

Ekspertët thonë se kjo ‘luftë’ tregtare shkon në dëm të Maqedonisë, e cila në vazhdimësi ka shënuar sufiçit në shkëmbimin tregtar me Kosovën. Këtë vit, vetëm për 7 muaj, kompanitë nga Maqedonia kanë eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej 160 milionë dollarësh, ndërsa kanë importuar 9 herë më pak se kjo vlerë.

Top Channel