Pezullohet blerja e energjisë

09/09/2013 00:00

Një ditë para afatit të fundit të dorëzimit të ofertave për blerjen e
1.3 milionë megavat orë energji elektrike për vitin 2014, Enti
Rregullator i Energjisë vendos të pezullojë procedurat e tenderit të
‘Cez Shpërndarje’.

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë njofton se përmes një letre zyrtare datë 6 shtator 2013, ERE ka kërkuar pezullimin e procedurës për blerjen e energjisë elektrike në mënyrë që të analizojë kushtet e ofertës. Por i kontaktuar nga Top Channel, kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Shkëlqim Bozgo sqaron se pas një analize të hollësishme të cështjes u arrit në konkluzionin se për sa kohë tenderi ka efekt afatgjatë dhe statusi aktual i ‘Cez Shpërndarje’ në administrim shtetëror është i përkohshëm, tenderi për importin e energjisë për vitin që vjen të pezullohet.

Krahas kësaj, zoti Bozgo thotë se për sa kohë në mes qëndron dhe procesi i shpronësimit të kompanisë, duke qenë se 24 për qind zotërohet nga Ministria e Ekonomisë ndërsa 76 për qind nga çekët, ERE gjykon se i takon Ministrisë së Ekonomisë dhe qeverisë së re të vendosë për vazhdimësinë e këtij tenderi.

‘Cez Shpërndarje’ çeli procedurën e tenderit për blerjen e 1.3 milione megavat orë energji për vitin 2014 në datën 5 gusht, duke dërguar ofertën tek 21 kompani. Ofertat duhet të paraqiteshin pranë ‘Cez Shpërndarje’ jo më vonë se data 10 shtator 2013, ndërsa përzgjedhja e fituesit do të bëhej pesë ditë më pas, më 15 shtator. E pyetur lidhur me fondin për blerjen e energjisë, kompania ‘Cez Shpërndarje’ deklaron se nuk mund të japë shifra me argumentimin se çmimi i saj është i ndryshueshëm në bursë.        

Top Channel