“Deutsche Telekom” sfidon të ardhmen e komunikimit

09/09/2013 00:00

Gjermania nuk është vetëm fuqia ekonomike e kontinentit, ose më saktë, një pjesë e suksesit që lidhet me zhvillimin e vendit ka të bëjë me inovacionin, idetë dhe komunikimin.

Të gjithë kërkojnë fleksibilitet, shpejtësi, siguri dhe cilësi në transmetimin e të dhënave dhe komunikimin dhe për këtë shkak, gjiganti gjerman “Deutsche Telekom”, pronare e “T – Mobile”, ka investuar gjerësisht në rrjet.

Pjesë e këtij grupi, lider botëror, është edhe AMC, kompani e shërbimeve celulare në vendin tonë, e cila do të përthithë në të ardhmen disa nga projektet novatore që u prezantuam më 3 shtator në Berlin.

E quajtur dita e network-ut në Berlin, bordi drejtues i “Deutsche Telekom”, në kuadër të traditës disavjeçare, zhvilloi konferencën hapëse në prag të hapjes së panairit.

“Ne po ndërtojmë rrjetin e internetit të së ardhmes, network-un”, u shpreh Rene Oberman, CEO i DT, duke shtuar se grupi vendosi në planin e investimit fondin mbi 23 miliardë euro për vitet 2010-2015.

Kompania ka 144 milionë abonentë në mbarë botën, falë ndërtimit të performancës së lartë infrastrukturore në Gjermani. Kjo kompani me 32 milionë rrjete të linjave fikse është e pranishme në rreth 50 shtete dhe ka 231 000 të punësuar në mbarë botën, mes tyre dhe AMC, kompania e parë celulare që hyri në Shqipëri.

Grupi ofron shumëllojshmëri shërbimesh, rrjetin fiks, komunikimin celular, internet, produktet IPTV dhe shërbime ndaj abonentëve, si dhe zgjidhje ICT për biznesin dhe korporatat.

Disa nga synimet e kompanisë u paraqitën nga Niek Jan van Damme, anëtar i bordit drejtues të DT në Gjermani, i cili shpjegoi 4 strategjitë për zgjerimin e rrjetit në Gjermani.

-Rrjeti me fibra optike zgjerimi parashikon të mbulojë 65% të popullsisë së Gjermanisë në vitin 2016

-Mobile: LTE do të zgjerohet duke mbuluar 60% të popullsisë në vitin 2015 me një shpejtësi 150 Mbit/sec.

– IP: approx. 1.5 milionë abonentë kaluan në IP (Internet Protocol) ku DT ka fituar kualitetin më të mirë të rrjetit falë testeve të kryera në mënyrë të njëpasnjëshme)

– WiFi: Shpejtësi e Lartë e Lidhjes për trenat dhe avionët. Në vitin 2014, 15 linja ajrore do të provojnë WiFi tek avionët e tyre, projekt i DT.

Sa u takon planeve për Shqipërinë, shefja për Teknologjinë dhe Europën në “Deutsche Telekome”, Claudia Nemat u shpreh se deri më tani me AMC, grupi ndihet komod. “Aktualisht ne kemi një brand shumë të fortë në Shqipëri dhe jemi të kënaqur për këtë”, thotë ajo”, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të prezantohen projekte novatore. Duke folur për projektet Nemat tha se, LTE është projekti që DT e prezanton fuqishëm.

LTE është hapi i ardhshëm i evolucionit të UMTS që e njohim ndryshe si (3G) dhe HSDPA (3.5G). Është e vetmja teknologji wireless që ndryshe njihet si 4 G. “Në vitin 2014, në Europë ne do të jemi operatori i parë që do të fusë LTE në të gjitha tregjet tona. Jo sepse jemi të detyruar, por sepse ne dëshirojmë të sjellim performancën më të mirë tek abonentët tanë”.

Në konferencë morën pjesë edhe media nga Shqipëria, mes tyre edhe nga gazeta “Shqip”. Nga të gjitha prezantimet, mund të thuhet se më i veçanti ishte ai i anëtarit të bordit për T-System, Reinhard Clemens, i cili prezantoi shërbimet e reja të internetit. Industria e automobilave, DT po sjell HotSpot-in e parë të lëvizshëm.

“Të sjellësh dhomën e ndenjes në makinën tënde”, të krijosh një eksperiencë të vërtetë me shpejtësi të lartë . HotSpot në makinë lejon njerëzit të bëjnë atë që bëjnë realisht në shtëpi, të shohin TV. Kjo teknologji mund të instalohet në elektronikën e makinës dhe të kontrollohet nga timoni.

Njësia e parë mobile në botë është përdorur në Berlin. Sipas tij, “koha është flori në raste emergjente. P.sh, ti ke goditje në tru, një tomografi kryhet përmes kësaj ambulance, e cila përcjell të dhënat në kohë reale te mjekët në spital dhe ata mund të japin mjekimin në çast. Duke marrë mjekimin në çast, ti nuk le sëmundjen të përparojë deri në atë gradë sa më pas të shpenzosh shumë kohë dhe para për ilaçe më tepër, për të rikuperuar veten”. Tjetër e veçantë, lidhet me valixhen, duke krijuar ilaritete në sallë. “Në sajë të teknologjisë së re, pasagjeri mund të gjejë lehtë valixhen nëse humb në aeroport”.

Top Channel