Ekonomiku, studentët dalin në rrugë

09/09/2013 00:00

Studentë dhe pedagogë të Fakultetit Ekonomik kanë vijuar protestën kundër uzurpimit të hapësirave akademike përmes një marshimi në rrugën e Elbasanit, të cilën e bllokuan për disa minuta.

Ata i kërkuan edhe një herë Bashkisë së Tiranës dhe të gjitha institucioneve të tjera shtetërore që të ndërhyjnë për të çliruar hapësirat e fakultetit me numrin më të madh të studentëve në vend.

“Duhet të japim mesazhin e munguar për 20 vjet e që ka shkaktuar katrahurë në mjedis. Të heqim këto pengesa që na vijnë nga ata që duhet të na mbrojnë”, deklaroi Sulo Haderi, dekan i Fakultetit të Ekonomisë.

Studentë dhe pedagogë paralajmërojnë të enjten një protestë maratonë 24-orëshe, ku do të jenë të pranishëm studentë të fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që janë në gjyq me ndërtuesit pa leje që të bashkohen me ne në protestën maratonë ditën e enjte”, deklaroi Pleurat Rexhepi, pedagog i Fakultetit Ekonomik.

Protesta përfundoi pranë godinës së konviktit të gjuhëve të huaja, që është kërkuar nga universiteti publik për t’u shfrytëzuar nga studentët, por që me vendimet e fundit i është shitur një universiteti privat.

Top Channel