I dërguari i posaçëm i OKB-së për çështjen e emrit të Maqedonisë, Methiu Nimiç e ka cilësuar si “tepër konstruktiv” takimin që ka zhvilluar për këtë problem me ministrin e Jashtëm grek Evangjelos Venizellos, mesditën e së hënës në Athinë.

Sipas tij, kreu i diplomacisë greke ka shfaqur me qartësi pozicionimin e qeverisë Samaras në çështjen ende të pazgjidhur midis dy fqinjëve për më se dy dekada, si dhe në propozimin e  fundit nga ana e OKB në prillin e kaluar.

I pyetur nëse do të ketë një takim për këtë problem në nivel të lartë nga udhëheqësit e dy vendeve, ai është përgjigjur se nuk ka pse të mos zhvillohet, por kjo nuk është brenda kontekstit të negociatave të tij dhe se ajo që e bën më të vështirë atë është fakti që dy udhëheqësit e kanë trajtuar këtë çështje në mënyra të ndryshme.

Vlen të përmendim se disa kohe më pare Nikola Gruevksi i ka kërkuar takim kryeministrit grek Samaras me anë të një letre publike, ndërsa ky i fundit me të njëjtën mënyrë i është përgjigjur se zgjidhja për emrin bëhet vetëm nëpërmjet negociatave të të dërguarit të posaçëm të OKB.

Nimiç i ka cilësuar bisedimet që ai drejton prej disa vitesh si “shumë të vështira” dhe ka theksuar se dy palët duhet të kuptojnë pozicionet e njëra-tjeterës duke vazhduar dialogun, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët.

I pyetur nëse presidenca greke në fillim të vitit 2014 do të mund të japë një shtytje në gjetjen e një zgjidhjeje, i dërguari i OKB-së ka deklaruar se është një çështje thellësisht kombëtare për të dy shtetet dhe nuk varet kaq shumë nga një faktor i vetëm si ky.

Ditën e martë Nimiç shkon në Shkup, duke vazhduar kontaktet në kuadrin e negociatave midis Greqisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Top Channel