Transportuesit maqedonas me dhjetra kamionë dhe autobusë kanë bllokuar vendkalimin kufitar Bllacë që lidh Maqedoninë dhe Kosovën. Për shkak të kësaj bllokade që nga dita e hënë është bllokuar kalimi në të dyja anët e kufirit.

Nga shoqata e transportuesve të Maqedonisë thonë se bllokada nuk do të hiqet deri sa të marrin sinjale se autoritetet e Prishtinës do të anulojnë vendimin për hyrjen e produkteve maqedonase në Kosovë.

“Kjo embargo është një masë që nuk plotëson standardet dhe dëmton drejtpërdrejtë ekonominë. Shpresojmë se do të mbizotërojë ndjenja për bashkëpunim të mirë mes dy vendeve dhe politikanët do ta kuptojnë se duhet të punojnë në interes të qytetarëve dhe ekonomisë, e jo për përfitime politike”, thotë Biljana Muratovska, kryetare e Shoqatës së Transportuesve në Maqedoni.

Veprimi i transportuesve maqedonas ka shkaktuar tollovi të madhe në kufi. Disa qytetarët kishin vendosur të kalojnë kufirin në këmbë, ndërsa të tjerët që udhëtonin me makina, me orët të tëra  kanë pritur heqjen e bllokadës e cila sipas tyre dëmton vetëm shqiptarët e dy vendeve.

“Sot u nisa nga Prishtina për në Shkup, për ta dërguar vëllain në aeroprt dhe këtu ngela 1 orë. Pastaj u detyrova të vazhdojë me taksi. Tani nuk e di kush do t’i kompensojë shpenzimet dhe kohën tonë”, thotë një qytetare.

“Ka mbi 500 makina të ndaluara. Prej mëngjesit nuk i lënë të lëvizin. Gratë dhe fëmijët ecin në këmbë ndërsa destinacioni ku duhet të arrijmë ka 20 kilometra”, thotë një tjetër qytetar.

Dhomat ekonomike dhe shoqata e bujqve kanë vlerësuar se nga masa e Kosovës humbjet e Maqedonisë janë rreth 1 milion dollarë. Ndërkohë, mediat maqedonase, duke iu referuar burimeve qeveritare, kanë njoftuar edhe mundësinë e aplikimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Qeveria maqedonase pritet të mbajë të martën një seancë në të cilën do të shqyrtohen zhvillimet e fundit me Kosovën, ndërsa në të do të raportojë ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, pas takimeve të një dite më parë në Prishtinë me ministren e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila.

Gjatë takimit të së hënës, zonja Kusari Lila tha se qeveria e Kosovës është e përkushtuar në zgjidhjen e ngërçit të krijuar kur Maqedonia të heqë dy masa: masën kushtëzuese për importin e miellit dhe taksën për qytetarët.

Ndërkaq, edhe ministri Saraçini shprehu gatishmërinë e qeverisë maqedonase që përmes dialogut të zgjidhet kjo çështje. Po ashtu, të dy palët u pajtuan që të jenë në komunikim të vazhdueshëm për zgjidhjen e shpejtë të këtyre çështjeve, që siç u tha pas takimit, në të mirë të qytetarëve të të dy shteteve.

Top Channel