Vazhdon në Greqi mobilizimi i mësuesve dhe personelit administrativ të
shkollave kundër politikës qeveritare në sektorin e arsimit publik.

Mbrëmjen e së hënës, në fund të një asambleje të gjatë, krerët e shoqatave të mësuesve të shkollave 8-vjeçare dhe të mesme votuan në favor të propozimit që parashikon një grevë të përgjithshme.

Aksioni në fjalë, që do të karakterizohet nga ndërprerja e mësimit, do të zgjasë 5 ditë rresht duke filluar nga 16 shtatori.

Reformat qeveritare për përballimin e krizës së ashpër financiare që ka përfshirë Greqinë parashikojnë shkurtime masive në administratën publike dhe reduktim të rrogave e pensioneve.

Më herët gjatë muajit, Instituti i Punës publikoi të dhëna alarmante në raportin vjetor për ekonominë greke. E përditshmja “Eleftherotipia” e krahasoi gjendjen ekonomike të vendit me vitet 1929-1933 të shekullit të kaluar, vitet e “Depresionit të Madh” në SHBA.

Sipas raportit, pagat e grekëve kanë humbur në tre vitet e fundit mbi 37 miliardë euro nga reduktimi i tyre dhe rritja e taksave dhe si pasojë fuqia blerëse është ulur me 37.2%, duke shkuar në nivelet e viteteve 2000.

Përsa i përket papunësisë ajo është kthyer në nivelet e 52 viteve më parë, pra të vitit 1961 dhe vlerësohet se në 2014 do të arrijë në 31.5%.

Ndërsa niveli i jetesës në vitin që vjen do të jetë 50% më i ulët se 6 vjet më parë. Konvergjenca e pagave reale krahasuar me mesataren e BE-së ka shkuar në nivelet e viteve 1980.

Top Channel