Forcat speciale të ushtrisë greke kanë filluar që në orët e para të mëngjesit një manovër ushtarake në zonën e Malit të Gramozit.

Sipas informacioneve të Top Media nga Ministria e Mbrojtjes së Greqisë, skenari i stërvitjes ushtarake,për të cilën është ngjallur jo pak habi në qarqet greke, është shkatërrimi i celulave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrisë Çlirimtare të Çamërisë në veri të vendit.

Edhe pse këto dy formacione, të cilësuara si ekstremiste, nuk kanë shfaqur ndonjë kërcënim për sigurinë e Greqisë, Athina zyrtare lëshon një mesazh të qartë për këdo që kërcënon integritetin e vendit, deklaruan burimet.

Sipas tyre, shërbimet sekrete greke mendojnë se në të ardhmen UÇK mund të përpiqet të krijojë probleme ndaj dhe stërvitja e nisur sot, synon të parandalojë pikërisht efektet negative të një fronti ekstremist në kufijtë e Greqisë.

Mësohet se vendimi për këtë manovër ushtarake është marrë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrise greke, Mihalis Kostarakos. Aktualisht qindra forca speciale të ushtrisë, të mbështetura prej helikopterëve  “Apache” dhe “Chinook”, ndodhen në fshatin Dypotamia të prefekturës së Kosturit.

Në skenar parashikohet përballja në luftë urbane me terroristët, rimarrja e godinave të pushtuara si dhe përleshja në distancë të vogël dhe përleshje trup më trup, ndërsa helikopterët, mbështesin nga ajri forcat speciale.

Top Channel