Shkupi dhe Athina kanë dallime serioze rreth kontestit bilateral të emrit kushtetues të Maqedonisë. Pasi ka dëgjuar qëndrimet e zyrtarëve të të dyja vendeve, ndërmjetësi ndërkombëtar për çështjen e emrit, Methju Nimiç tha se palët kanë dallime të mëdha rreth përcaktimit gjeografik që duhet të përmbajë emri i ri i Maqedonisë.

“Siç e dini, unë në prill kam dalë me një propozim për emrin e ri të Maqedonisë dhe kam ftuar të dy palët që të njëjtin ta analizojnë. Në Athinë ngritën dy çështje në lidhje me propozimin tim, ndërsa këtu në Shkup më përsëritën qëndrimin e deritanishëm lidhur me çështjen e emrit. Kuptohet, unë do të isha vërtetë i lumtur nëse do të kishim sukses, por ende eksiztojnë dallime të thella mes dy palëve. Megjithatë, ne do të vazhdojmë përpjekjet për të gjetur zgjidhje”, ka deklaruar Nimiç.

Ndëmjetësi i OKB-së para gazetarëve nuk shpalosi propozimin e tij lidhur me emrin e ri të vendit, por tha se ai përmban përcaktim gjeografik dhe jo entik, ndërsa në këtë emër përfshihet edhe termi Maqedoni.

Problemi 20-vjeçar mes Shkupit dhe Athinës lidhur me emrin e Maqedonisë është një nga shkaqet kryesore për ngecjen e këtij vendi në procesin e integrimit në strukturat euroatlantike.

Top Channel