Putin: Sulmet do të nxisnin terrorizmin

12/09/2013 05:00

Ndërkohë që Obama pushon përkohësisht, Putin del në qendër të vëmendjes, duke dashur t’i thotë diçka amerikanëve në lidhje me Sirinë, me anë të asaj që ai e quan “një lutje për të pasur kujdes”.

Duke shfrytëzuar faqen e opinioneve në “New York Times”,  “për të folur drejtpërdrejt me popullin amerikan dhe liderët e tyre politik, në një moment komunikimi të pamjaftueshëm mes shoqërive tona”, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar për përkeqësim të situatës në Lindjen e Mesme dhe në botë, nëse vendet do të anashkalojnë Kombet e Bashkuara dhe do të ndërmarrin veprime ushtarake.

“Sulmi potencial i SHBA-ve ndaj Sirisë do të rezultojë në rritjen e numrit të viktimave të pafajshëm dhe përshkallëzim të tensionit, duke e përhapur potencialisht konfliktin përtej kufijve të Sirisë”, shkroi Putin në editorialin e tij, që u shfaq mbrëmjen e së mërkurës online. “Sulmi do të shtonte dhunën dhe do të nxiste një valë të re terrorizmi”.

“Çdo veprim ushtarak do të minonte përpjekjet e gjithanshme për të zgjidhur problemin bërthamor të Iranit dhe konfliktin izraelito-palestinez, si dhe do të destabilizonte më shumë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ai mund të hidhte poshtë të gjithë sistemin e ligjeve ndërkombëtare dhe të çonte në një zhbalancim total”.

Duke e quajtur luftën civile si një “konflikt të brendshëm, i nxitur nga armët e të huajve të dhëna ndaj rebelëve opozitarë”, Putin paralajmëroi të mos mbahej ana e opozitës në Siri, që sipas tij “përfshin, më shumë se mjaftueshëm, luftëtarë të al-Qaeda-s dhe ekstremistë të çdo lloji”.

Megjithatë, ai nuk përmend fare faktin që Rusia furnizon prej kohësh me armë qeverinë siriane. Lideri i Rusisë tha se “nuk del në mbrojtje të qeverisë siriane”, por kërkon të favorizojë “një plan kompromisi”. Veprimet ushtarake kundër qeverisë siriane, pa miratimin e Këshillit të Sigurisë në OKB, “janë të papranueshme bazuar mbi statutin e Kombeve të Bashkuara dhe do të konsituonte një akt agresioni”, sipas Putin.

Duke kontestuar pohimet e Obamës dhe të tjerëve, Putin tha se “ekziston çdo arsye e mundshme të besohet se armët kimike nuk janë përdorur nga ushtria siriane, por nga forcat opozitare për të provokuar ndërhyrjen nga padronët e tyre të huaj e të fuqishëm, që do të viheshin në krah të fundamentalistëve”.

Përdorimi i forcës ushtarake ka “rezultuar joefektive dhe e pavlerë” në vende si Afganistani, Libia dhe Iraku, deklaron presidenti rus në opinionin e tij. Ai hamendëson se vdekjet mes civilëve në Siri, nëse do të ketë sulme ajrore, do të jenë “të paevitueshme”.

Putin përfundon opinionin e tij duke thënë se ai dhe Obama ndajnë “një besim në rritje”. E megjithatë, ai sfidoi gjithashtu çështjen e Obamës për mbinatyrshmërinë e amerikanëve në fjalimin e tij të mbrëmjes së të martës, duke thënë se “është jashtëzakonisht e rrezikshme të inkurajosh njerëzit të shohin vetveten si të jashtëzakonshëm, për çfarëdo lloj motivi”.

“Ne jemi të gjithë të ndryshëm, – përfundoi Putin, – por, kur ne lutemi për bekimin e Zotit, ne nuk duhet të harrojmë se Zoti ka krijoi të gjithëve të barabartë”.

Top Channel