Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Europiane vlerëson se vendimet e Qeverisë së Maqedonisë për importin e kushtëzuar të miellit, si dhe taksat rrugore për shtetasit e Kosovës, janë skandaloze dhe plotësisht anti-europiane.

Sipas OBRIE, barrierat maqedonase i ngjanë barrikadave serbe në veri. Është i njëjti skenar që po realizohet paturpësisht nga Shkupi dhe Beogradi për të bllokuar zhvillimin ekonomik, pikërisht shtet-ndërtimin e Kosovës, vlerëson OBRIE.

“Për çudi përpjekje të tilla për të bllokuar shtetin e Kosovës po provohen nga dy kryeministrat, Daçiç dhe Gruevski, të cilët kohën më parë u shfaqën si promotorë të idesë së mini-shengenit Ballkanik”, thuhet në komunikatën për media të kësaj organizate.

Sipas saj, sjellja rajonale serbe është pjesë e një partneriteti të pjesshëm të saj me vendet e rajonit, ku gati se me gjitha shtetet ka konteste të hapura.

“Në këtë drejtim Maqedonia duket si aleatja e vjetër që i shërben gjithmonë politikës dhe ekspansionit serb. Aleancat midis këtyre dy vendeve janë prezente, edhe pse pati një reagim nga Beogradi për shkak të njohjes së Kosovës nga Shkupi”,  thuhet më tej në komunikatë e OBRIE.

Top Channel