Ekonomiku, letër Bashës

13/09/2013 00:00

Studentë dhe stafi akademik i Fakultetit të Ekonomisë zhvendosën
protestën e tyre para dyerve të Bashkisë së Tiranës ku i dorëzuan
kryebashkiakut Lulëzim Basha një letër të hapur përmes së cilës i
kërkojnë çlirimin e hapësirave akademike nga ndërtimet pa leje.

Studentët vendosën para Bashkisë kuti kartoni, të cilat simbolizojnë godinat që sipas tyre kanë uzurpuar hapësirat që duhet t’i përkisnin studentëve.

“Pika e parë është prishja e dy ndërtimeve që janë në ndërtim e sipër në këtë moment që ne flasim, njëra është në ambientet e kampusit dhe është totalisht pa leje dhe ndërtimi i tjetër që është pranë fakultetit tonë. Kërkesa e dytë është marrja e masave, bërja e një plani urbanistik për ndërtesat që janë në anën tjetër të fakultetit, të cilat kanë përdunduar ndërtimin kohë më parë dhe kanë rrethuar komplet edhe magazinën, madje disa nga ato ndërtesa kanë prishur edhe murin e magazinës së Fakultetit”, thotë Armir Roko, kryetar i Këshillit Studentor.

Lidhur me godinën që po ndërtohet në oborrin e Fakultetit ka reaguar Bashkia e Tiranës, e cila sqaron se nuk është kërkuar sigurimi i padisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë çka do të thotë se punimet në këtë godinë janë konform ligjit.

“Fakulteti Ekonomik duhet të bëjë sigurimin e padisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për pezullimin e vendimit të përmbarimit”, thotë administratori i Bashkisë, Eltion Kapedani.

Top Channel