Në fund të vitit, të gjithë grekët që zotërojnë makinë me kapacitete mbi 1.900 CC, një pishinë, avion apo helikopter do të paguajnë taksën mbi mallrat e luksit.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat helene. Taksa në fjalë ishte vendosur nga qeveria e Athinës në vitin 2011, por nuk ishte zbatuar përgjatë vitit të kaluar.

Ministri grek i Financave, Yannis Stournaras ka deklaruar se shlyerja e taksës së luksit do të bëhet sipas të gjitha gjasave në një pagesë të vetme.

Në këtë mënyrë Athina zyrtare synon të rrisë të ardhurat e saj përmes mbledhjes së taksave, edhe në kuadër të reformave që ajo duhet të zbatojë kundrejt angazhimeve ndaj kreditorëve të huaj.

Një delegacion ekspertësh të trojkës së përbërë nga FMN, BE dhe BQE mbërriti të enjten në Athinë për të vlerësuar progreset e regjistruara nga qeveria në këtë drejtim.

Gjatë takimit me autoritetet helene, përveç vlerësimit të përmbushjes së reformave u përgatit edhe axhenda e bisedimeve për vetë ekzekutivin dhe funksionarët e Trojkës.

Këta të fundit, që janë danezi Paul Tomsen i FMN-së dhe gjermanët Matthias Mors e Claus Masuch, përkatësisht nga Bashkimi Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, do të vizitojnë Athinën javën e ardhshme pas mbajtjes së zgjedhjeve në Gjermani.

Top Channel