Qeveria maqedonase në një mbledhje që ka nisur pasditen e së premtes ka marrë vendimin për heqjen e taksës së importit të miellit nga vendet fqinje.

Në këtë mënyrë pritet të hiqet edhe taksa ndaj qytetarëve kosovarë që kërkojnë të hyjnë në Maqedoni dhe që qeveria kosovare nga ana e saj të zhbllokojë importin e produkteve maqedonase.

Në këtë mënyrë, shumë shpejt kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë do t’i kthehet normalitetit, me tregtinë mes dy vendeve që do të rifillojë qarkullimin.

Heqja e vendimit nga Shkupi zyrtar arrihet pas një seri kontaktesh të vazhdueshme mes eksponentëve të qeverisë maqedonase dhe atyre të asaj kosovare.

Vetë shoqatat e biznesit ishin shprehur kundër kësaj bllokade, e cila sipas tyre dëmtonte të dyja palët, sidomos Maqedoninë që eksporton më shumë mallra në Kosovë.

Edhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi nxiti në ditët e fundit zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Mimoza Kusari Lila që të intensifikonin kontaktet me homologët maqedonas, me qëllim zgjidhjen e një problemi “që nuk i bën mirë askujt”.

Top Channel