Bashkimi Europian mund të penalizojë Kroacinë javën e ardhshme, për shkak të mosunifikimit nga ana e Zagrebit të legjislacionit për ekstradimet.

Një parashikim i tillë u publikua ditën e premte në faqet e të përditshmes kroate “Jutarni List”.

Brukseli është përballur me anëtarin e 28-të të unionit që në javët e para pas anëtarësimit për shkak se mosndryshimi i ligjit i lejon kriminelëve të kërkuar të luftës që të mos vendosen përpara drejtësisë.

Midis të kërkuarve nga Gjykata e Hagës mbetet edhe Josip Perkoviç, një ish-drejtues i Shërbimeve Sekrete Jugosllave dhe më pas Kroate, që luajti një rol të rëndësishëm në luftën kroate për pavarësi në vitet 1991-95.

Perkoviç gjithashtu kërkohet nga drejtësia gjermane, pasi besohet se ai ishte pas vrasjes së disidentit kroat Stephen Djurekoviç në Mynih, në vitin 1983.

Përballja ligjore me BE-në ishte një prej arsyeve që Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, bojkotoi axhendën e festimeve të Zagrebit për anëtarësimin në union.

Penaliteti që rrezikon Kroacia është kryesisht financiar, me një sërë projektesh e subvensionesh që mund t’i hiqet financimi i buxhetit të përbashkët europian.

Top Channel