Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë nuk i ka larguar kamionët që bllokojnë akset rugore për automjetet në pikën kufitare të Bllacës me arsyetimin se, përderisa qeveria maqedonase ka marë një vendim me shkrim, të njëtën gjë nuk e ka bërë dhe pala kosovare.

Përfaqësuesja e MakTrans, Billjana Muratovska ka deklaruar se nuk u beson deklaratave verbale dhe ka theksuar se për zhbllokimin e rrugës dëshiron të shohë një dokument të firmosur.

“Nëse gjatë ditës kyeministri i Kosovës gjen kohë për të nënshkruar një vendim që të heqë embargon për mallrat nga Maqedonia, në atë moment ne do të largojmë kamionët dhe kufiri do të fillojë të funksionojë normalisht”, ka thënë Muratovska.

Ndërkohë, duke komentuar faktin se Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë nuk është kompetente për të bërë kushtëzime të tilla, Muratovska ka shtuar se, përderisa janë transportuesit që pësojnë humbje të mëdha, kërkesa e saj është mëse legjitime.

Qeveria maqedonase në një mbledhje të mbajtur pasditen e së premtes mori vendimin për heqjen e taksës së importit të miellit nga vendet fqinje dhe për rrjedhojë heqjen e taksave për qytetarët kosovarë që hyjnë në Maqedoni.

Tërheqja e vendimit nga Shkupi zyrtar erdhi pas një seri kontaktesh të vazhdueshme mes eksponentëve të qeverisë maqedonase dhe atyre të asaj kosovare.

Vetë shoqatat e biznesit ishin shprehur kundër kësaj bllokade, e cila sipas tyre dëmtonte të dyja palët, sidomos Maqedoninë që eksporton më shumë mallra në Kosovë.

Edhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi nxiti në ditët e fundit zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Mimoza Kusari Lila që të intensifikonin kontaktet me homologët maqedonas, me qëllim zgjidhjen e një problemi “që nuk i bën mirë askujt”.

Top Channel