Nënpunësit e sektorit shtetëror në Greqi kanë filluar prej mëngjesit të së hënës një valë të gjerë protestash ndaj transferimeve të përkohshme në poste të tjera dhe më pas të pushimeve nga puna të mijëra grekëve, një prej masave më ekstreme të kërkuara nga ekspertët e trojkës me qëllim zvogëlimin e këtij sektori dhe reduktimin e shpenzimeve.

Protestat kanë filluar me përpjekjen e mbi 250 rojeve të shkollave fillore të Athinës të hyjnë në Ministrinë e Reformave Administrative, ndërsa forcat speciale kanë përdorur bombat me gaz lotësjellës për t’i shpërndarë.

Një grevë pesëditore kanë filluar nënpunësit e zyrave të sigurimeve shoqërore, të asistencës socilale, të shërbimeve të Ministrisë së Punës, si dhe sindikata e mësuesve në të gjithë vendin, që ka mbyllur shkollat vetëm dy ditë pas hapjes së tyre.

Në mbështetje të tyre, grevë disaorëshe ka shpallur edhe sindikata e nënpunësve të sektorit shtetëror ADEDY, e cila fillon një grevë të përgjithshme 48-orëshe të mërkurën dhe të enjten, ditë në të cilat do të zhvillohen edhe protesta masive në kryeqytet dhe qytetet të tjera të vendit.

Prej së martës për më se tre ditë, në grevë të përgjithshme do të jenë edhe mjekët e spitaleve të vendit, që protestojnë ndaj reformave në këtë sektor.

Vala e re e grevave në Greqi ka filluar, ndërsa pritet në ditët e ardhshme të mbërrijnë edhe pjesa kryesore e ekspertëve të trojkës, të cilët do të bëjnë vlerësimin e ecurisë së reformave dhe pritet të kërkojnë dhe masa të tjera të ashpra në vend.

Qeveria greke ka deklaruar se deri në fund të shtatorit do t’i nënshtrohen transferimeve e më pas do të pushohen mbi 12.500 nënpunës, kryesisht nga ndërmarrjet gjysëmshtetërore, bashkitë e vendit, sektori i shëndetësisë dhe zyrat e sigurimeve shoqërore.

Vlerësohet se vetëm në arsimin e ulët dhe të mesëm pritet që mbi 20.000 mësues të hidhen në rrugë në dy vitet e ardhshme. Pushimet e reja nga puna vijnë në një moment kur Greqia mban vendin e parë në BE për papunësinë që në muajin qershor ka arritur në 28%.

Top Channel