Qeveria e Kroacisë do ta përshtasë ligjin për urdhër-arrestet sipas direktivave evropiane në ditët e ardhshme, por ligji i ri do të hyjë në fuqi vetëm në korrik 2014.

Ligji në fjalë do të anulojë kufizimin e vlefshmërisë së arrestimeve vetëm për krimet e kryera pas vitit 2002, ka bërë të ditur ministri kroat i Drejtësisë, Orsat Miljeniç.

“Amendamenti do të jetë në rend të ditës në mbledhjen e qeverisë ditën e enjte dhe do të diskutohet e aprovohet në Parlament me proçedurë të përshpejtuar në ditët e ardhshme”, ka deklaruar Miljeniç.

Ministri ka shprehur besimin e tij se nuk do të ketë sanksione ndaj Kroacisë, duke kujtuar se edhe vende të tjera anëtare të BE-së kanë futur normën e kufizimit të mandatit si Sllovenia e Republika Çeke.

“Kroacia kërkon vetëm një trajtim të barabartë. Vendeve të tjera anëtare u janë dashur tre ose katër vjet për të përshtatur ligjet e tyre. Njërit prej tyre madje 10 vjet dhe KE nuk kishte reaguar. Kështu që nuk shoh asnjë arsye përse 10 muajt që i duhen Kroacisë për të njëjtën gjë përbëjnë një problem”, ka thënë Miljeniç.

Top Channel